Udhëheqësi i Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri u vra në një sulm të SHBA-së në Afganistan gjatë fundjavës, goditja më e madhe për grupin militant që kur themeluesi i tij, Osama bin Laden u vra në vitin 2011.
Zawahiri fshihej për vite me radhë dhe operacioni për gjetjen dhe vrasjen e tij ishte rezultat i punës “të kujdesshme dhe këmbëngulëse” nga komuniteti kundër terrorizmit dhe inteligjencës, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Deri në njoftimin e SHBA-së, Zawahiri ishte përfolur ndryshe se ishte në zonat tribale të Pakistanit, ose brenda Afganistanit.
Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtari dha për Reuters detajet e mëposhtme mbi operacionin:
- Për disa vite, qeveria e SHBA kishte qenë në dijeni të një rrjeti që vlerësonte se mbështeste Zawahirin dhe gjatë vitit të kaluar, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, zyrtarët kishin vëzhguar për indikacione për praninë e Al Kaedës në vend.
Këtë vit, zyrtarët identifikuan se familja e Zawahirit – gruaja, vajza dhe fëmijët e saj – ishin zhvendosur në një shtëpi të sigurt në Kabul dhe më pas e identifikuan Zawahirin në të njëjtin vend.
- Gjatë disa muajve, zyrtarët e inteligjencës u bënë më të sigurt se e kishin identifikuar saktë Zawahirin në shtëpinë në Kabul dhe në fillim të prillit filluan të informonin zyrtarët e lartë të administratës. Jake Sullivan, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, informoi më pas Presidentin Joe Biden.
“Ne ishim në gjendje të ndërtonim të gjithë itinerarin e lëvizjeve të tij, përmes burimeve të shumta të pavarura informacioni për të informuar operacionin,” tha zyrtari.
Sapo Zawahiri mbërriti në shtëpinë e sigurt në Kabul, CIA e identifikoi atë në ballkonin e saj dhe më pas u dha urdhri për bombardim me një seri raketash.
Zyrtarët hetuan ndërtimin dhe natyrën e shtëpisë së sigurt dhe shqyrtuan banorët e saj për t’u siguruar që Shtetet e Bashkuara mund të kryenin me siguri një operacion për të vrarë Zawahirin pa kërcënuar integritetin strukturor të ndërtesës dhe duke minimizuar rrezikun për civilët dhe familjen e Zawahirit, tha zyrtari.
- Në javët e fundit, presidenti thirri takime me këshilltarët kryesorë dhe anëtarët e kabinetit për të shqyrtuar informacionet e inteligjencës nga terreni dhe për të vlerësuar rrugën më të mirë të veprimit. Më 1 korrik, Biden u informua për një operacion të propozuar në Shtëpinë e Bardhë nga anëtarë të kabinetit të tij, përfshirë drejtorin e CIA-s, William Burns.
Biden “bëri pyetje të detajuara për atë që dinim dhe si e dinim” dhe ekzaminoi nga afër një model të shtëpisë së sigurt që komuniteti i inteligjencës kishte ndërtuar dhe sjellë në takim.
Ai pyeti për ndriçimin, motin, materialet e ndërtimit dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në suksesin e operacionit, tha zyrtari. Presidenti kërkoi gjithashtu analiza të pasojave të mundshme të një proteste që mund të pasojë në Kabul.
- Një rreth i ngushtë avokatësh të lartë mes agjencive ekzaminoi raportimin e inteligjencës dhe konfirmoi se Zawahiri ishte një objektiv i ligjshëm bazuar në udhëheqjen e tij të vazhdueshme të Al Kaedës.
Më 25 korrik, presidenti mblodhi anëtarët dhe këshilltarët e tij kryesorë të kabinetit për të marrë një vendim përfundimtar dhe për të diskutuar se si vrasja e Zawahirit do të ndikonte në marrëdhëniet e Amerikës me talebanët, ndër të tjera, tha zyrtari. Pasi kërkoi pikëpamjet e të tjerëve në dhomë, Biden autorizoi “një sulm ajror të përshtatshëm” me kusht që të minimizonte rrezikun e viktimave civile.
- Sulmi u krye në orën 21:48, më 30 korrik nga një dron që gjuan të ashtuquajturat raketa “zjarri i ferrit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje