Bota

Si i përhapi Trump gënjeshtrat për mashtrime zgjedhore?

Përmbledhja e raportit të komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për trazirat e 6 janarit, dokumentoi se si presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, vazhdimisht u paralajmërua nga njerëzit e tij të afërt se pretendimet se ai kishte humbur zgjedhjet për shkak të mashtrimeve zgjedhore, ishin të rreme.

Këto paralajmërime ishin bërë nga anëtarët e kabinetit, zyrtarët e fushatës dhe madje nga anëtarët e familjes së tij. Por, sipas raportit, Trump vazhdoi të përhapte këto gënjeshtra.

“Këto paralajmërime ai nuk i dëgjoi nga zëdhënësi i Joe Bidenit në MSNBC”, tha David Beckes, bashkautor i “E vërteta e madhe”, libër që trajton dëmet e shkaktuara nga gënjeshtrat për mashtrime zgjedhore të Trumpit.

Gënjeshtrat e Trumpit për humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nxitën sulmin ndaj Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021 dhe ndihmuan që të mblidhen miliona dollarë donacione për ish-presidentin republikan.

Më poshtë mund të mësoni detaje të tjera se si Trumpit i ishte thënë e vërteta dhe pse ai zgjodhi që të gënjente për rezultatin zgjedhor:

Planifikimi i gënjeshtrës

Komiteti për ngjarjet e 6 janarit e bëri të qartë se Trump e kishte planifikuar kohë më parë shpalljen e fitores, pavarësisht nëse do t’i fitonte apo jo zgjedhjet. Aleatët e tij mburreshin se si po tentonin të mashtronin publikun duke tentuar që ta paraqisnin Trumpin si fitues të zgjedhjeve. Komiteti po ashtu përmendi korrespondencën e Tom Fitton të grupit të konservatorëve Judical Watch me Shtëpinë e Bardhë në tetor të vitit 2020. Në këtë korrespondencë, Fitton i bën thirrje Trumpit që të thotë pas mbylljes së votimeve se: “Mbajtëm zgjedhjet. Unë fitova”.

Komiteti po ashtu ka arritur të marrë nën posedim incizime të këshilltarit të Trumpit, Steve Bannon, i cili u tha bashkëpunëtorëve një javë para zgjedhjeve se “Trump do të shpallë fitoren, apo jo? Ai do të shpallë fitoren. Por, kjo nuk do të thotë se ai është fitues. Ai thjesht do të thotë se është fituesi”.

Trump për muaj të tërë kishte kritikuar votimin përmes postës, që u popullarizua gjatë pandemisë COVID-19. Presidenti i atëhershëm po ashtu këmbënguli se mënyra e vetme që ai do të humbiste zgjedhjet ishte përmes një mashtrimi masiv zgjedhor. Kur Trump shpalli fitoren në orët e para të mëngjesit, pas ditës së zgjedhjeve, ai shfrytëzoi momentin kur numërimi i votave nga vendvotimet, ku Republikanët kishin më shumë mbështetës, e vendosën atë në epërsi përkohësisht. Ai kërkoi që zyrtarët zgjedhorë të ndalonin numërimin e fletëve të votimit që kishin mbetur pa u numëruar, pasi ato ishin vota që shkonin për Partinë Demokratike.

“Vendimi i presidentit Trump për të shpallur fitoren në mënyrë të rreme natën e zgjedhjeve, dhe kërkesa për ndalimin e numërimit të votave, nuk ishte vendim spontan”, shkroi komiteti në përmbledhjen e raportit të tij. “Ky vendim ishte i paramenduar”.

Gënjeshtrat për makinat e votimit

Deri më 7 nëntor, votat demokrate u numëruan dhe shumica e agjencive të lajmeve kishin parashikuar fitues demokratin Joe Biden dhe vetë anëtarët e fushatës zgjedhore të Trumpit e dinin se ai kishte humbur.

“Grupi që shkoi atje, theksoi, ju e dini, besimin dhe shanset e mia për sukses në këtë pikë”, tha menaxheri i fushatës së Trumpit, Bill Stepien, para komitetit. “Dhe më pas ne e përcaktuam parashikimin [për rezultatin e zgjedhjeve] për 5, ndoshta 10 për qind bazuar në rinumërimin e votave”.

Stepien shtoi se Trump i besoi atij: “Ai ishte shumë realist me këndvështrimin tonë, në përputhje me pikëpamjen tonë sa i përket parashikimit” për zgjedhjet.

Megjithatë, Trump vazhdoi të insistonte se ai kishte fituar. Ekipi i tij ligjor gjerësisht nuk u mor me këtë çështje dhe u zëvendësua nga ish-kryetari i Nju Jorkut, Rudolph Giuliani dhe Sidney Powell, që nisën të bënin pretendime për mashtrime zgjedhore, pavarësisht se avokatët e Shtëpisë së Bardhë e paralajmëruan Trumpin se këto pretendime ishin të rreme.

Trump më pas filloi të merrej me një zhvillim në një qark rural në Miçigan, ku makinat e votimit fillimisht kishin numëruar gabim margjinën e fitores së tij. Ky gabim doli të ishte njerëzor. Kur fletëvotimet u numëruan dhe u futën sërish në makinë, ato u numëruan në mënyrë të saktë.

Trump e dinte këtë fakt, tha komiteti, sepse prokurori i Përgjithshëm, William Barr, ia kishte kumtuar këtë gjë më 1 dhjetor të vitit 2020. Barr dëshmoi se i tregoi presidentit se fletët e votimit dhe rezultati përfundimtar përputheshin. Por, një ditë më vonë, gjatë një fjalimi tha: “Në Miçigan, për shembull, ata përdorën sistemin Dominion, ata gjetën pothuajse 6.000 vota që ishin të Trumpit, por që kaluan te Bideni, dhe kjo është maja e ajsbergut”. evropaelire.org /Pershtati ne shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë