Një vit më parë, Jorida Tabaku, në emër të grupit parlamentar të PD, dorëzoi në Kuvend një propozim për të ndryshuar ligjin e komisioneve hetimore parlamentare, nisur nga vështirësitë që kishte hasur gjatë drejtimit të komisionit për incineratorët.
Pas një viti, kur PS ka rrëzuar 8 komisione hetimore të kërkuara nga opozita me argumentin se duhet ndryshuar ligji, kur PS nuk e ka marrë akoma në shqyrtim nismën 1 vjeçare të PD dhe kur vetë PS, ka dorëzuar në 30 nëntor ndryshimet e saj për komisionet hetimore, Jorida Tabaku bën krahasimin mes dy drafteve. “Janë si nata me ditën”- i tha ajo Gazetës Si, duke shpjeguar me detaje thelbin antikushtetues dhe kufizues për opozitën të projektit të PS.
Zonja Tabaku, e njohur për qendrimet e saj konstruktive dhe dialoguese, beson se shërbimi i vetëm që mund t’i bëhet parimit kushtetues të kontrollit parlamentar është një ligj i përbashkët PS-PD. Dhe ky konsiderohet një rast për të bërë armëpushim në parlament.
“Kërkesat e opozitës janë të drejta dhe duhet bërë çdo gjë për të forcuar rolin mbikqyres të parlamentit, hapësirën e opozitës, por dhe për t’i kthyer normalitetin parlamentit.” tha Tabaku për Gazetën Si. Duke përdorur thënien “sillu në qeveri njësoj si në opozitë”. Jorida Tabaku i kujtoi kryeministrit Rama qendrimin e ndryshëm që mbante ai për ligjin e komisioneve hetimore, kur drejtonte PS në opozitë.
Gazeta Si: Zonja Tabaku, ku ndryshon nisma juaj për komisionet hetimore nga ajo e PS, e znj. Felaj?
Jorida Tabaku: Edhe pse nisma e znj.Felaj vjen thuajse 365 ditë pas depozitimit të një nisme në emër të grupit parlamentar të PD, ndrshimet janë si nata me ditën. Janë ndryshime që dëshmojnë edhe qendrimet e ndryshme që kemi ndaj parimeve kushtetuese të një krahu me krahun tjetër të ishullit politik.
Propozimet e paraqitura një vit më parë kanë ardhur pas një reflektimi gati gjashtëmujor dhe një analize që ekspertët e ligjit pranë grupit të PD i kanë bërë vendimeve të GJykatës Kushtetuese, që janë një thesar dhe, gjithashtu, edhe problematikës së hasur gjatë Komisionit Hetimor të Inceneratorëve. Të dy këto ishin një bazë e mirë për të amenduar ligjin aktual të Komisioneve Hetimore, në mënyrë që të jetë realisht funksional dhe që institucionet dhe jo vetëm të mos fshihen pas alibive që ofronte ligji aktual, që daton që në vitin 2000.
Propozimet e ofruara kishin si synim së pari të rregullonin çështjen se si ngrihet një komision hetimor, duke vendosur disa kushte që lidhen si me objektin e hetimit dhe çfarë duhet të ketë një çështje për t’u ngritur një Komision Hetimor. Sakaq, kemi rregulluar disa momente në lidhje me përbërjen dhe sekretaritë e Komisionit Hetimor, kjo duke u bazuar në frymën dhe gërmën e Kushtetutës duke propozuar pasjen e dy sekretarëve të Komisioneve hetimore që do të ofrojnë më shumë paritet që siguron mbarëvajtje komisioni. Në thelb, shumica mbetet e tillë dhe pakica gjithashtu mbetet e tillë, por në asnjë çast nuk duhet të harrojmë që as shumica nuk mund të bëhet pengesë për ushtrimin e një të drejte kushtetuese të pakicës.
Në të kundërt propozimi i znj. Felaj duket sikur anon në reduktimin e një të drejte kushtetuese gjithnjë e më pak deri në zhbërjen e saj. Po të lexojmë kërkesën e qeverisë shohim se komisionet hetimore nuk mund të ngrihen thuajse asnjëherë. Kjo është të kufizosh një të drejtë kushtetuese që i është garantuar opozitës përmes disa alibive që as nuk qëndrojnë dhe as janë reale.
Nëse në Itali apo Gjermani nuk ka Komisione Hetimore, nuk vjen se komisionet janë të vështira për t’u ndërtuar, por vjen nga fakti që opozita nuk e ka përdorur komisionin hetimor si një instrument. Por, mos harrojmë që as në Gjermani dhe as në ndonjë vend tjetër të BE-së nuk kemi një zv. kryeministër në kërkim dhe gjysmën e kontratave koncesionare në hetim nga Prokuroria Federale e Krimeve apo Anti-mafia italiane (po të bëjmë një paralalizëm).
Nëse flasim më tej për propozimet. Draft ligji i ofruar nga opozita nuk ka synim apo qëllim pengimin e komisioneve hetimore dhe jetës së tyre. Përkundrazi ne kërkojmë që shkresave të Parlamentit të Shqipërisë institucionet shtetërore dhe ato private t’i përgjigjen me respektin maksimal. Ndërkohë që propozimi i znj. Felaj jo rrallë të kujton gjuhën e një kohe të shkuar dhe të harruar për shqiptarët, të një kohe ku partia ishte udhëheqja e moralit shoqëror.
Po, me znj. Felaj biem dakord (sikundër kemi rënë) që në raste të një sekreti hetimor apo sekreteve shtetërore apo dhe sekreteve të një natyre tregtare (që rregullohen me Kushtetutë dhe rregullore kuvendi) të kemi seancë me dyer të mbyllura. Madje mund të them që në situata të tilla janë kryer dhe dëgjesa me dyer të mbyllura në Komisione si i Sigurisë Kombëtare.
Por, qëllimi i ligjit të propozuar nga mazhoranca qartësisht përpiqet të fshijë logjikën e një Komisioni Hetimor që është gjithashtu dhe një mundësi transparence. Ne sot duhet të ngremë nivelin e institucionit të Parlamentit dhe debatit në Komisione, prandaj nëse i qëndrojmë besnik këtyre propozimeve të mazhorancës do ta shndërrojmë Parlamentin në një bunker siç janë treçereku i institucioneve qeveritare. Pra, kuvendi humbet rolin e tij të pavarësisë!
Gazeta Si: Ka diçka që vlen në propozimin e PS?
Jorida Tabaku: Me çfarë duket, qeveria ka vendosur të mbajë një qëndrim shumë mbrojtës në këtë debat, duke vendosur realisht në pikëpyetje të drejtën Kushtetuese të opozitës. Ajo që gjykoj pozitive është që sot duhet të flasim për një ligj me dakordesi dhe jo të njëanshëm, përndryshe, i gjithë diskutimi nuk ka vlerë.
Gazeta Si: Gjykata Kushtetuese ndër vite ka vendosur disa piketa për komisionet hetimore. Gjykoni se janë reflektuar në propozimin e PS?
Jorida Tabaku: Besoj që janë reflektuar pjesërisht. Apo së paku kjo qe përshtypja që më la relacioni i koleges Felaj. Gjithsesi, ato janë një mundësi për të diskutuar, pasi nuk duhet të harrojmë që askush nuk është i përjetshëm, ndaj ne sot na takon të shkruajmë ligje jo për të kaluar lumin tani, por për të menduar se si kjo çështje t’i përgjigjet realitetit të ri që ka lindur pas Komisionit Hetimor të Inceneratorëve.
Gazeta Si: Po ju i keni përfshirë në propozimin tuaj si psh, çështjen që gjykata trajton për objektin e hetimit apo ndjekjes penale të së njëjtës çështje?
Jorida Tabaku: Po! Çdo ndryshim i propozuar prej nesh ka të atashuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese që argumenton dhe ndryshimet tona.
Gazeta Si: Duhet grupi i PD të marrë pjesë në diskutimet e nismave për komisionet hetimore?
Jorida Tabaku: Siç e përmenda edhe më herët, ne duhet të mendojmë përtej të sotmes dhe egos personale. Grupi duhet të marrë pjesë pa penguar ngritjen e komisioneve aktuale, që, siç thotë dhe progres raporti i Komisionit Europian, mund të ngrihen me ligjin aktual. Mbase është koha që të vendoset një tjetër stekë në lidhje me një komision ad hoc që drejton punët për një ligj që t’i shërbejë shqiptarëve dhe jo hallit momental.
Gazeta Si: Do të konsiderohet kjo si një periudhë armëpushimi?
Jorida Tabaku: Në politikë, njësoj si në luftë, që ditën e parë që nis beteja mendohet për të arritur kërkesat. Kërkesat e opozitës janë të drejta dhe duhet bërë çdo gjë për të forcuar rolin mbikqyres të parlamentit, hapësiren e opozitës, por dhe për t’i kthyer normalitetin parlamentit.
Një gjë të fundit dua të theksoj: thënia “sillu njësoj si në opozitë dhe në maxhorancë” duhet të jetë e vërtetë për të dyja palët politike. Në fillim të drejtimit të opozitës, zoti Rama bëri asokohe propozime sesi të kishte opozita maxhorancën në këto komisione dhe unë s’e besoj dot që gjithë pushteti i akumuluar të shkojë edhe te kontrolli i komisioneve hetimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje