Politike

Si PD e Alibeajt harxhoi një vit kohë për një padi që nuk i përket më… aktualitetit   

Pushimi i gjykimit nga Apeli me kërkesë të Enkelejd Alibeajt për bashkimin e statuteve të dy kuvendeve demokrate të thirrura në pak muaj distance kohore nga Lulzim Basha, rezultoi (në mos një taktikë juridike për të shkuar me këtë situatë më 14 maj), një mungesë koherence nga pala zyrtare e PD-së që mëton të gjejë një zgjidhje për të ardhmen e kësaj force politike në rrugë ligjore.

Saga e boshit zgjati jo pak. Plot një vit.

Le t’i trajtojmë me radhë.

Gjithçka nisi më 15 shkurt të një viti më parë.

Atëkohë, me kërkesë të PD-së zyrtare u vendos shtyrja e seancës e regjistrimit të statutit të Kuvendit drejtuar nga Lulzim Basha në korrik 2021.

Në mars, Gjykata e Tiranës e pranon kërkesën dhe regjistron në gjykatë statutin e Bashës.

Po atë muaj, Gazment Bardhit i lind një padi e dytë; Ose të zhbëjë atë vendim (që më herët e kishte kërkuar vetë) ose të bashkojë statutin e Kuvendit të korrikut me një tjetër të thirrur po nga Basha me 18 dhjetor 2021.

Që prej asaj kohe, (24 mars 2022) vetëm në nëntor Apeli fillon shqyrtimin e padisë.

Këtu pastaj nis saga e dytë.

Brenda nëntorit të vitit të kaluar, Apeli shtyu me dy herë shqyrtimin e kërkesës së Gazment Bardhit për të njohur të dy statutet e Bashës.

Arsyeja lidhej me mos paraqitjen në të dyja seancat e përfaqësuesit ligjor të PD-së, Indrit Sefa, respektivisht më 4 nëntor dhe 10 nëntor.

Njëherë i sëmurë, herën tjetër nuk ndodhej në Shqipëri.

Gazment Bardhi më pas i kërkon gjykatës zëvendësimin e përfaqësuesit ligjor dhe njohjen e të riut me dosjen, për një afat kohor njëmujor.

Gjykata e pranoi kërkesën e Bardhit për t’i lënë kohë përfaqësimit me një avokat tjetër, duke caktuar seancën e radhës për në 6 dhjetor.

Atë ditë nuk u shfaq një përfaqësues i ri ligjor. Sërish Indrit Sefa e kishte barrën. Ai u shfaq në gjykatë, por kësaj here mungoi një nga gjyqtaret për arsye shëndetësore.

Më 22 dhjetor, seancën e radhës, Indrit Sefa shkoi me një kërkesë të re; Përjashtimin nga çështja të gjyqtares Irida Kacerja.  

Pas kërkesës, Gjykata e Apelit e shtyu seancën për në 17 janar 2023.

Brenda kësaj kohe, Apeli rrëzon edhe kërkesën për ndryshimin e gjyqtares.

Sot (17 janar), vetëm pak orë përpara (jo pas) marrjes së vendimit, Indrit Sefa doli me një deklaratë të beftë.

Ai kërkoi pushimin e gjykimit me argumentin se padisë së tij i kishte rënë AKTUALITETI .

Sipas Indrit Sefës, vijimi i gjykimit të kësaj padie do të pengonte gjykimin e çështjes në themel mbi legjitimitetin ose jo të Kuvendit të thirrur nga Berisha.

Jo vetëm aq, por Sefa vuri në diskutim faktin se padia që ai përfaqësonte në gjykatë mund të ishte bërë “pengesë” për gjykimin e vendimit të Agron Zhukrit për të cilin vetë ai në maj të vitit të kaluar i kishte kërkuar Apelit ta fuste në shqyrtim

Prej asaj kohe, (maj 2022) përfaqësuesit ligjor të PD-së harxhuan kohë për një tjetër padi që për ta rezultoi një “artificë juridike” që po “zvarritej”.

Se kur mund t’i vijë radha në Apel gjykimit të vendimit të Agron Zhukrit (që njeh organet e Sali Berishës), kur zgjedhjet janë më 14 maj, askush nuk e di.

Ajo që dimë është se nga marsi 2022 deri në janar 2023 u mor shumë kohë për një padi që për Enkelejd Alibeajn nuk i përket më aktualitetit.

Dhe kjo kësaj here jo për faj të Apelit.  /N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë