Jo pak, por 55 deputetë të Partisë Socialiste “luftuan” me mullinjtë e erës plot një vit në përpjekjen e tyre për të shkarkuar Presidentin e Republikës, Ilir Meta.
E iniciuan kërkesën e tyre për shkarkim bazuar në anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit nga Ilir Meta duke e zgjeruar objektin e hetimit me një kërkesë të re që bazohej në emërimin e gjyqtarëve kushtetues po nga Presidenti.
Pa mbyllur viti i kaluar, deputetët u “indinjuan” kur Presidenti nuk vepronte për të plotësuar një detyrim kushtetues, atë të betimit të gjyqtarit të emëruar në Kushtetuese duke çmuar deri faktin se, “Presidenti Meta përmes shkeljeve kishte ndikuar në mosplotësimin e numrit të gjyqtarëve legjitimë të gjykatës Kushtetuese”.
Por jo vetëm. Deputetët u vunë në rresht për të dhënë argumente se Presidenti kishte marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), dhe se me emërimin e dekretimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese tej parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës kishte kryer një sërë shkeljesh kushtetuese.
Për zgjedhjet e qershorit, ata shtjelluan se Presidenti ka vetëm një kompetencë, atë të caktimit të datës së zgjedhjeve, dhe vetëm një herë për çdo palë zgjedhje.
Socialistët i kujtuan madje Metës se sovraniteti i përket vetëm popullit dhe se Presidenti me anulimin e zgjedhjeve e i kishte hequr sovranit të drejtën për të qenë i tillë. Për këtë arsye, ata thirrën në një seancë të gjatë dëgjimore vetë Ilir Metën.
Por vetëm dy ditë më parë, 55 deputetë të PS-së vlerësuan se meqenëse veprimet e Metës nuk sollën pasoja thelbësore për mosrealizimin e zgjedhjeve, atëherë anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve vendore nga ana e Presidentit nuk përbënte domosdoshmërish shkak të mjaftueshëm për shkarkimin e tij.
Sepse në fund të fundit, Presidenti ishte nisur sipas tyre nga “qëllimi dhe arsyeja e mire”
Me qëllim evitimin e precedentëve, deputetët socialistë propozojnë që të hartohet një ligj për ndarjen e kompetencave formale dhe atyre substanciale të Presidentit me qëllim që kauzat e
Presidentit bazuar në arsye apo në “qëllim të mirë” por jo në dispozita kushtetuese dhe ligjore të mos përsëriten më në të ardhmen.
Pra, PS-ja kërkon që për të vënë në “shina” veprimet e Presidentit Meta ose e thënë me gjuhën e tyre “për të garantuar përgjegjshmërinë në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore të Presidentit” është i nevojshëm një ligj organik për institucionin e Presidentit.
Që do të thotë se, kompetencat formale dhe substanciale të Presidentit, PS-ja kërkon që t’ia rregullojë Metës me një ligj organik për institucionin e Presidentit.
Sa i përket veprimeve të tjera të Presidentit në kuadër të emërimeve të Gjykatës Kushtetuese, deputetët socialistë çmojnë se këto janë çështje që duhet të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese kur kjo e fundit të ngrihet.
Pra, shumë zhurmë për asgjë. Komisioni hetimor i ngritur me shumë bujë këtu e një vit më parë çmoi të mos e shkarkojë Presidentin, por të japë vetëm rekomandimin për hartimin e një ligji organik.
Ndërsa për të tjerat, le të vendosë Kushtetuesja që asnjë nuk e di se kur do të ngrihet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje