Në një tryezë teknike të organizuar nga ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, është diskutuar mbi urat që shfaqin shenja të dukshme amortizimi dhe kanë nevojë emergjente për ndërhyrje.
Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, raportoi rezultatet e inspektimit të kryer verën e vitit të shkuar duke theksuar se raporti tregon se 30 ura kanë shenja të dukshme amortizimi edhe për shkak të kohës së gjatë të shfrytëzimit të tyre.
“Raporti sugjeron për herë të parë hartimin e pasaportave për çdo urë duke mbajtur shënim të gjitha të dhënat e urave dhe mbi bazën e të cilave do të përpunohen të dhënat për projektimin e investimeve në to”, theksoi Qato.
Qato ndër të tjera bën me dije se ARRSH po punon me projekte konkrete.
“ARRSH është duke punuar me masa dhe projekte konkrete. Janë identifikuar 7 ura prej atyre me probleme që janë në nevojë emergjente për ndërhyrje. Janë marrë masat procedurale për hartimin e shtatë projekteve për urat në nevojë emergjente ndërhyrjeje. Këto ura janë: Ura e Leklit dhe Dragotit ku parashikohet ndërtimi i strukturave të reja duke ua lënë institucioneve të trashëgimisë si monumente kulture pas ndërhyrjes, ura e Zëmblakut që parashikon gjithashtu ndërtim të ri, ura e Kaludhit që parashikon forcim themelesh, sistemim dhe pastrim, ura e Vorës e Tapizës dhe ura e Drojit që kërkojnë rikonstruksion total me një shifër totale të projektit prej 1 miliard 939 milionë lekë”, sqaroi Qato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje