Futboll

Simeone: Mesi-Ronaldo s’mund të luajnë bashkë, futbolli është si boksi

Diego Pablo Simeone, trajneri argjentinas i Atletiko Madrid, ka shpjeguar futbollin e tij, një futboll në pritje të kundërshtarit dhe me intensitet. Një futboll, që i ngjan boksit dhe që duket sikur luhet në ring. Në një intervistë për “AS”, Simeone jep disa detaje se si e koncepton ai lojën e skuadrës.

Intensiteti, ose vrapimi pa pushim është baza e futbollit të “Çolos”. “Nëse më pyesin për dallimin mes Mesit dhe Maradonës, them se Leo është një makinë goli, kurse Diego përfaqëson esencën e futbollit argjentinas. Do të luanin shumë mirë bashkë në fushë”, – thotë trajneri argjentinas. Po Mesi me Ronaldon? “Të jenë në një skuadër CR7 dhe Mesi do të ishte e komplikuar. Skuadra do të kishte “vrima” në fushë. E them gjithmonë se, nëse nuk vrapon një lojtar, në rregull, por nëse nuk vrapojnë dy lojtarë, bëhet shumë e vështirë. Nëse nuk vrapojnë tre, atëherë bëhet e pamundur”.

Simeone, trajneri i Atletiko Madrid. Gazeta Si, 13 maj 2020

Koncepti i skuadrës, sipas Simeones, varet nga individët. “E rëndësishme është sjellja në fushë. Ka lojtarë që kanë talent, por nuk e kuptojnë sa i rëndësishëm është impenjimi në fushë dhe përqendrimi gjithë kohën. Futbolli është si boksi, duhet të dish kur është momenti i duhur për të sulmuar. Tek Atletiko i dimë mirë pikat e forta dhe defektet tona, u pa qartë në “Anfield”. E dinim që mund t’i bënim keq Liverpulit dhe pritëm momentin e duhur. Kur dëgjoj që jemi me fat, mendoj për një skuadër kampione Europe që ka humbur duke pësuar tre gola në shtëpi”.

Simeone kërkon finalen e tretë të Ligës së Kampionëve, duke shpresuar që të mos takojë Realin: “Humbja e finales së parë në Ligën e Kampionëve nuk ishte një dështim, e dyta po. Shkuam në Lisbonë si kampionë të Spanjës, por Reali ishte më i fortë se ne në kohën shtesë. Në Milano mund të kishim fituar para penalltive”, – shprehet trajneri i Atletikos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë