Bota

Sistem antiajror me rreze të gjatë veprimi, Turqia e teston me sukses

Krahas marrjes së sistemit rus të mbrojtjes anti-raketë, S-400, Turqia prej 2016-s ka investuar miliarda dollarë për të prodhuar një sistem të vetin në fushën e mbrojtjes dhe testimet e para janë kryer së fundmi.

Ankaraja njoftoi se testoi me sukses të shtunën që kaloi sistemin e mbrojtjes ajrore të quajtur “Siper”. “Siper” është pjesë e programit turk të ngritjes së një sistemi mbrojtjeje me raketa me rreze të gjatë veprimi, që ushtria turke synon t’i ketë në dispozicion brenda vitit 2023.

Presidenti i Industrive të Mbrojtjes së Turqisë, Ismail Demir tha se vendi do të ketë brenda pak vitesh mbi gjashtë sisteme mbrojtjeje ajrore.

Projekti “Siper” nisi në vitin 2016 me objektiv ndërtimin e një sistemi mbrojtjeje ajrore vendas me raketa me rreze të gjatë veprimi. Kontraktori kryesor në këtë projekt është kompania “Aseslan”, ndërsa “Roketsan” dhe Këshilli Kërkimor Shkencor dhe Teknologjik i Turqisë janë nënkontraktorë.

Sipas zyrtarëve turq, “Siper” mund të godasë objektivat në një rreze veprimi prej 90 kilometrash kur bëhet fjalë për avionë dhe drognë dhe deri në një distancë prej 30 kilometrash kur bëhet fjalë për raketa ballistike.

Turqia ka përqëndruar burime njerëzore dhe financiare të përforcuara në këtë sektor prej disa vitesh. Aktualisht vendi ka sisteme anti-raketë prodhim vendas, si Korkut, apo Sungur që veprojnë si në platforma të vendosura si në tokë, në ajër, apo në det.

Përveç tyre, pjesë e sistemeve të mbrojtjes ajrore janë edhe Hisar-A dhe Hisar-O me rreze veprimi 15 dhe 25 kilometra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë