Një delegacion i nivelit të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale për tre ditë me radhë do të zhvillojë takime në Tiranë me udhëheqësit politik shqiptarë për njohur më nga afër për situatën politike në vend pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Ky është niveli më i lartë i përëfaqësimit e që përbëhet nga Presidenti, Anders Knape, me Presidentët e dy Dhomave, të Autoriteteve Lokale, Xavier Cadoret, dhe të Rajoneve, Gunn Marit Helgesen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, Andreas Kiefer.
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të KiE-s refuzoi që të dërgonte vëzhgues për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, për shkak të klimës politike të tensionuar ku opozita e bojkotoi procesin.
Takimin e parë delegacioni e zhvilloi me presidentin Ilir Meta, më pas në axhendën e tyre janë edhe takimet me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Sipas njoftimit për median, presidenti në takimin me deleagionin e KiE-s ka vlerësuar rolin e Kongresit si garant i parimeve të Kartës Europiane për Vetëqeverisjen Vendore, dhe angazhimin e tij për monitorimin serioz të situatës në Shqipëri.
Presidenti Meta theksoi se Shqipëria ndodhet në një krizë sui generis përfaqësimi, dhe në ç’eikulibër të plotë të mekanzimave të kontrollit dhe balancës.
“Votimet njëpartiake të 30 qershorit nuk i dhanë zgjidhje krizës, por cënuan rëndë edhe demokracinë vendore, duke e zhytur më shumë vendin në rrugën e paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit”, – vuri në dukje Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit u ndal edhe në disa ligje të miratuara nga Kuvendi, të cilat cënojnë autonominë vendore dhe disa parime bazë të Kartës Europiane, të cilat pritet të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, ende jo-funksionale.
Kushtet e Bundestagut, vuri në dukje Presidenti Meta, janë pasqyra më e qartë e problemeve serioze me të cilat përballet vendi, por edhe harta më e sigurtë për rrugën europiane që duhet të ndjekë pa vonesë Shqipëria.
Presidenti theksoi se është jetike për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë që kësaj situate t’i jepet një zgjidhje tërësore, duke i kthyer legjitimitetin e munguar institucioneve përmes votës së lirë të qytetarëve.
Takimet me autoritetet lokale, Ademin, Veliaj dhe ambasadorët
Delegacioni i nivelit të lartë të KiE-s mësohet se do të zhvillojë takime dhe me përfaqësuesit e shoqatave të bashkive dhe të qarqeve. Pas takimeve me kreun e KiE-s në Tiranë, Jutta Gutzkow, delegacioni do të takohet me Voltana Ademin, kryebashkiaken në detyrë të Shkodrës, por që drejton shoqatën e bashkive të djathta; Greta Bardeli përfaqësuese e opozitës, kryetare e shoqatës së Rajoneve (Qarqeve). Gjithashtu në axhendë është edhe takimi me kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj që drejton shoqatën e bashkive, ku aderojnë të zgjedhurit e majtë.

Për të biseduar për situatën politike në Shqipëri ditën e mërkurë delegacioni i KiE-s do të zhvillojë edhe një takim me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Ndërsa pjesë e axhendës së takimeve është Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Sipas njoftimit zyrtar, në qendër të bisedimeve në këto takime do të jetë situata e demokracisë thelbësore në vend, e në veçanti, zhvillimet që nga zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në qershor 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje