Ka ndodhur

Foto-Video/ Stabilizohet situata e zjarrit tek lumi i Vlorës, në Karaburun rifillon aksioni nga ajri, ndërhyrje edhe në Vithkuq dhe Taraboshë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Pleshi njoftoi të enjten mbasdite se është parandaluar katastrofa në zonën e lumit të Vlorës si rezultat i ndërhyrjes masive të trupave nga toka dhe ajri që kanë neutralizuar rrezikun e jetës dhe banesave atje.

Në mbështetje të operacionit nga toka, në Karaburun ka rifilluar edhe ndërhyrja nga ajri, ndonëse në kushte të vështira klimatike për fluturim.

Ndërhyrje gjithashtu janë bërë edhe ne Vithkuq (Korçë) në Mallakastër, në Tarabosh, (Shkodër) Qerem,(Tropojë), Kalise (Kukës), Mavropull, (Delvinë) etj.

Me heret një vatër zjarri u aktivizua konkretisht mesditën e të enjtes në fshatin Gjorm të Vlorës ku u raportua se situata ishte kritike

Mësohet se zjarri fillimisht nisi në lagjen “Neshtë” dhe më pas u përhap në anën tjetër të lumit, me flakët që duket se janë të përmasave të mëdha.

Në vendngjarje mbërrien helikopteri dhe pritej ndërhyrja. Zjarrfikëset ndërhynë me pompa krahu për të neutralizuar situatën. Ndërkohë që era e fortë nuk po favorizonte në shuarjen e flakëve.

Ndërkohë beteja me zjarrin në Gadishullin e Karaburunit në Vlorë vijon tashmë prej 10 ditësh. Tre vatra aktive në pjesën e sipërme të fshatit Dukat i Ri po rrezikojnë seriozisht Parkun e Llogarasë.

Operacioni për shuarjen e zjarrit është ndërprerë nga ajri dhe nga toka për shkak të erës së fortë, çka e ka përkeqësuar më tej situatën. Por ministri Peleshi njoftoi ne mbremje se nderhyrja ka filluar serish ne kete zone

Raportohet se flakët po përparojnë në pjesën e malit, duke iu afruar pyllit me pisha. Një tjetër vatër zjarri shpërtheu mëngjesin e së enjtes edhe në Nartë, duke rrezikuar ish-depozitat e naftës.

Ndërsa shtëllunga tymi mbuluan edhe qytetin e Vlorës. Në qarkun e Gjirokastrës situata duket më e qetë. Vatrat janë vënë nën kontroll, por po mbahen nën monitorim nga forcat e emergjencës. Në rrezik nga flakët është dhe fshati Gumenicë.

Ministri Niko Peleshi, thirrje për evakuim të banorëve

Lidhur me situatën e vështirë në disa fshatra të Vlorës, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është transferuar me 40 trupa ushtarake në zonë.

Vatër zjarri edhe në Vithkuq, rrezikohet monumenti i kulturës

Zjarret janë zhvendosur edhe në juglindje të vendit.  Një sipërfaqe toke me pisha në fshatin Vithkuq të Korçës është përfshirë nga flakët.

Drejt vendit është nisur një zjarrfikëse nga qyteti i Korçës, ndërkohë që po ndërhyhet momentalisht nga punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve publike. Nga flakët rrezikohet Manastiri i Shën Pjetrit, pasi ndodhet në afërsi të zonës që po digjet.

Po ashtu, janë aktivizuar edhe tre vatra zjarri në Bashkinë e Maliqit, në fshatrat Zboq, Beras dhe Vashtmi. Raportohet se forcat e shërbimit zjarrfikës po punojnë për izolimin e vatrave të zjarrit


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë