Ka përfunduar në barazim 1-1 ndeshja hapëse e javës së 20-të të Superiores mes Tiranës dhe Teutës. Një barazim, që i leverdin në një farë mënyre Tiranës për të ruajtur ecurinë e rezultateve pozitive, pas fitores me Kamzën javën e kaluar. Për Teutën është një tjetër hap fals (barazimi i tretë radhazi) në lidhje me objektivin e Europës. Një pikë në transfertë me Tiranën nuk do të ishte keq në kushte të tjera për durrsakët, por 2 pikë në dy javët e para të fazes së tretë janë shumë pak për ta.
Ndeshja nisi shumë mirë për Teutën, që realizoi pas dy minutash lojë me Gerhard Prognin. Tirana gjeti forca për të reaguar dhe barazoi që në pjesën e parë me anglezin Ngo. Në momentin që bardheblutë po festonin golin e barazimit me tifozët, kangjellat që ndajnë shkallët e stadiumit nga fusha janë shembur, por për fat të mirë nuk ka pasur pasoja. Pjesa e dytë ishte e mërzitshme dhe vlen të përmendet vetëm një rast flagrant i Prognit, i cili kishte shansin e artë për t’i dhënë fitoren Teutës, por gaboi.

Për të disatën herë Teuta vërtetoi se nuk mund të rivalizojë Partizanin dhe Kukësin në garën e titullit, ndërsa Tirana duket se po e merr veten pas asaj gjysme të parë mjaft të dobët të sezonit. Trajneri Bledi Shkëmbi nuk i fshehu kritikat për ekipin e tij pas barazimit: “Prisja më shumë nga Teuta. Me sa duket, duhet të ndryshojmë diçka” – tha trajneri i durrsakëve. Kurse trajneri i Tiranës, Ardian Mema, e pranoi se barazimi e kënaq: “Pika na kënaq, edhe pse ne asnjëherë nuk luajmë për barazim, por sot luajtëm me lojtarë të dëmtuar”, – tha Mema.
Superiorja vazhdon të shtunën me ndeshjet Kastrioti-Skënderbeu dhe Flamurtari-Kastrioti, kurse të dielën luhen dy ndeshjet e fundit Laçi-Luftëtari dhe Kamza-Partizani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje