Nga konferenca e përbashkët për shtyp e Edi Ramës, Aleksandër Vuçiçit dhe Dimitar Kovaçevskit u la të kuptohej se samiti 4 orësh mes Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian në Bruksel nuk ishte në frymën më të mirë të mundshme.
“Ndjehesh keq, sepse ende s’mund të jemi këtu si europianë, por si miq në një shtëpi të ndarë. Shqetësuese, që edhe sulmi i një pandemie në shkallë globale dhe as një luftë kaq kërcënuese në kufijtë e BE nuk ka mundur që të bashkojë Europën”, tha Rama.
Problemi, sipas Kryeministrit, nuk është vetëm Bullgaria, por e gjithë fryma e deformuar e zgjerimit.
“Nuk është vetëm Bullgaria, por është e gjithë fryma e deformuar e zgjerimit dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj. Zgjerimi ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti te marrja peng nga shtetet individuale. Sa herë që ka një proces zgjerimi del një vend që e bllokon”, deklaroi Rama.
Megjithatë, ai thotë se nuk fshihet as ndonjë vend, person apo arsye tjetër pas vetos bullgare.
“Nuk kam nënkuptuar në asnjë mënyrë që është dikush, apo diçka pas vetos bullgare. Është vendim i bullgarisë. Unë nuk është se s’e respektoj, por nuk jam dakord me mënyrën se si po ngrenë shqetësimet e tyre duke marrë peng dy vende anëtare të NATO-s”, shtoi ai.
Sipas Ramës, Rusia sot po merr një ndihmë të pakërkuar nga një vend anëtar i NATO-s, për të destabilizuar një vend anëtar të NATO-s, duke iu referuar Maqedonisë së Veriut. Ai tha se u kishte kërkuar udhëheqësve të BE-së të mos e shtyjnë Serbinë në prehërin e Rusisë me kërkesën për vendosjen e sanksioneve.
“Serbia është në një pozicion mjaft ndryshe, është një realitet krejtësisht ndryshe. U përpoqa t’u shpjegoj se po flasim për një vend ku popullariteti për Vladimir Putin është 80 për qind dhe ku njerëzit nuk janë të prirur të vrapojnë drejt Brukselit, përkundrazi. Por, është një vend që jashtë çdo pritshmërie për tri herë është harmonizuar me BE duke mbështetur rezolutat dhe vendimet në OKB. Nuk i kuptoj kërkesat për sanksionet ndaj Serbisë, sepse Serbia nuk është në pozicion për të realizuar kaq shumë kaq shpejt dhe çuarja deri në kufi mund të japë efektin e kundërt”, u shpreh Rama.
Si Rama, ashtu edhe Vuçiç dhe Kovaçevski u zotuan se do të vazhdojnë të punojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në kuadër të Ballkanit të Hapur.
“Nuk do të presim Godonë, e kam thënë më parë. Nuk erdha këtu me idenë që do të ndodhte diçka. Te Godoja është e qartë, ata s’mund të lëvizin, ne do të vazhdojmë të lëvizim për të ngjallur këtë frymë të Europës në pjesën tonë. Ballkani i Hapur është mekanizmi i parë vërtet rajonal i bashkëpunimit. Po prodhon rezultate për njerëzit, për fermerët, tregtarët, po prodhon rezultate në të gjitha fushat”, shtoi Rama.
Këtu, Kryeministri u shpreh se ka kërkuar nga BE mbështetje të hapur për këtë nismë.
“Nisma e Ballkanit të Hapur është nisma që kemi ndërmarrë për ta zbatuar. Kërkuam mbështetje të hapur për Ballkanin e Hapur, por edhe për këtë janë të ndarë”, u shpreh Rama.
Rama tha se BE ka me se të merret dhe në këtë drejtim nuk i duhet një tjetër goditje e krizë në Ballkanin Perëndimor. “Ka shumë goditje me të cilat duhet të merren dhe nuk duhet të nxisin një goditje tjetër. Mos e lini që besimi që shqiptarët kanë te BE të zhduket, mos e lini BE që të shndërrohet në një kongregacion priftërinjsh që diskutonin gjininë e engjëjve në një kohë që muret e Konstandinopojës po shembeshin se dihet historia pastaj”, tha Kryeministri.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, që në këtë samit nuk kishte asnjë pritshmëri tha se në takim ka pasur shumë presion.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i meritonin negociatat. Pati shumë presion dhe nuk e fsheh dot. Ka rreth 3 mijë artikuj në mediat perëndimore që flasin për Serbinë, se si kërcënon paqen Serbia në Ballkan. Nuk kemi marrë asnjë falje për këto gënjeshtra. Unë nuk kam frustrimin e Ramës dhe Kovaçevskit, por ne mund të bëjmë shumë më shumë para dhjetorit dhe më pas besoj se mund të gëzojmë, ose të paktën do të ndihemi shumë më mirë se sot”, shtoi Presidenti serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje