Futboll

Skandal bastesh në Spanjë, arrestohen ish-lojtari i Realit dhe një president

Është zbuluar në Spanjë një bandë kriminale, që trukonte ndeshjet e futbollit në periudhën 2016-2018. Pjesë e kësaj bande ka qenë edhe një ish-lojtar i Real Madrid, Raul Bravo, i cili është shoqëruar nga policia tashmë, por edhe presidenti i Hueskas.

Një tjetër skandal bastesh ka shpërthyer së fundi në Spanjë. E përditshmja katalanase “El Periodico” bën me dije se policia ka bërë disa arrestime futbollistësh në aktivitet dhe ish-futbollistësh, pasi ata akuzohen për trukimin e ndeshjeve gjatë sezoneve 2016-2017 dhe 2017-2018. Mes të arrestuarve nga policia është edhe Raul Bravo, 38-vjeçari që më parë ka veshur fanellën e Real Madrid dhe që e ka përfunduar karrierën në Greqi. Ai konsiderohet si një nga “kokat” e grupit. Është arrestuar edhe Borja Fernandez, i cili sapo është tërhequr nga futbolli dhe sezonin e fundit luajti 19 ndeshje me Valadolidin e Ronaldos. Një tjetër 38-vjeçar, Karlos Aranda, edhe ky me një të kaluar te Reali, por që më pas ka luajtur nga pak kudo në Spanjë, ka përfunduar në pranga. Të tjerë të arrestuar janë Samu Saiz, 28 vjeç, i dalë nga shkolla madrilene dhe që këtë vit u huazua nga Getafe te Lidsi, si dhe Injigo Lopez, 36 vjeç, sezonin e fundit pjesë e Ekstremadurës dhe Deportivos.

Agustin Lasaosa, presidenti i Hueskas, i arrestuar nga policia

Policia spanjolle ka shkuar në zyrat e skuadrës së Hueskas, duke arrestuar edhe presidentin e saj, Agustin Lasaosa. Vitin e kaluar kjo skuadër u ngjit në La Liga, por nuk mundi të qëndronte më shumë se një sezon. Po ashtu, është arrestuar edhe mjeku i skuadrës, Galindo Lanuza. Të ndaluarit nga policia janë të gjithë spanjollë dhe të gjithë akuzohen për bashkëpunim në krim, korrupsion dhe riciklim parash. Me kalimin e kohës pritet të dalin detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje, cilat kanë qenë ndeshjet e trukuara konkretisht dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë skandal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë