Pas sulmit në Kapitol Hill më 6 janar nga një turmë e zemëruar mbështetësish, të nxitur nga Donald Trump dhe para një presidenti të humbur në një labirint të teorive të komplotit, me një humbje që ai nuk e pranonte, Shefi i Shtabit Mark Milley, autoriteti më i madh ushtarak amerikan, mori disa vendime që shkojnë përtej fuqive të tij nga frika se një udhëheqës psikologjikisht i paqëndrueshëm mund të kryejë akte që mund të krijojnë një emergjencë ushtarake. Që do të thotë, një sulm të pajustifikuar apo edhe përdorimin e armëve bërthamore.
Milley foli me shefat e tjerë ushtarakë, me shefin e CIA-s dhe atë të Sigurisë Kombëtare, gjeneralin Nakasone, për të kërkuar mbikëqyrje maksimale në 360 gradë dhe për t’u siguruar që asnjë urdhër në lidhje me arsenalin bërthamor nuk do të pranohej pa u konsultuar më parë me vetë Shefin e Shtabit.

Ky i fundit, më 8 janar, foli gjithashtu me homologun e tij kinez, gjeneralin Li Zuocheng për të siguruar Pekinin se nuk do të kishte goditje të rrezikshme “me kokë” nga presidenti në largim, Trump.
Zbulimi, që gjendet në “Peril”, libri i ri mbi kalimin e pushtetit nga Trump te Biden, nga gazetari i famshëm Bob Woodward (ai zbuloi, së bashku me Carl Bernstein, skandalin e Watergate që detyroi presidentin Nixon të jepte dorëheqjen) dhe Robert Acosta, reporter politik për gazetën “Washington Post” , kanë shkaktuar një stuhi politike në pak orë me të djathtën, që akuzon Milley-n për tradhti, pasi kishte shkuar përtej fuqive të tij.
Politikanët, si senatorët Marco Rubio dhe Rand Paul, po kërkojnë që gjenerali të shkarkohet nga detyra dhe t’i hiqen gradat ushtarake.
“Fox”, rrjeti televiziv që mbështet republikanët, flet për një skandal dhe i kërkon Gjykatës Ushtarake si ka mundësi që një ushtarak jo i zgjedhur ka zëvendësuar në rolin e mbajtësit legjitim (dhe të zgjedhur) të kësaj detyre komandantin e përgjithshëm, Donald Trump.

Nuk ka dyshim se, nëse ai ka bërë atë që i atribuohet (deri tani gjenerali nuk ka mohuar asgjë), Milley ka kryer një vepër penale.
Por analistët e krahut të majtë, e shfajësojnë atë në unison, duke pretenduar se ai ka vepruar në rrethana të jashtëzakonshme historike me objektivin e vetëm për të shmangur një krizë të pakontrolluar ushtarake apo edhe një aksident bërthamor.
Siç është shkruar në libër, Milley thuhet se “veproi me kujdes dhe me mirëbesim”, i frikësuar nga “rënia mendore e një presidenti, i cili tani po bërtiste tek të gjithë, duke përfshirë ushtrinë dhe duke ndërtuar realitete alternative në mendjen e tij, bazuar në teoritë e komplotit për zgjedhjet”.
Sipas Woodward dhe Acostas, Milley do t’i kishte besuar ndihmësve të tij se ai ishte shumë i shqetësuar, sepse “nuk mund të dihet kurrë se cila është pika e rënies së një presidenti”, i cili është në një gjendje të tillë mendore.

Konservatorët, natyrisht, nuk e pranojnë këtë version dhe janë gjithashtu të zemëruar, sepse libri “Peril”, thotë se Milley vendosi të veprojë më 8 janar pas një bisede telefonike me kryetaren e Dhomës, Nancy Pelosi.
Lideres demokrate të Kongresit, e cila shprehej se ishte e shqetësuar për problemet e mundshme mendore të një presidenti jashtë kontrollit, Milley iu përgjigj: “Jam plotësisht dakord me ju”.
Në fund të fundit, shefi ushtarak kishte përfunduar në qendër të vëmendjes së Trump dhe besnikëve të tij që nga qershori i vitit të kaluar, kur doli në televizion për të kërkuar falje në angazhimin e tij gjatë një iniciative politike: presidenti, në fakt, e donte atë pranë tij kur, duke sfiduar protestat për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd, ai shkoi në këmbë në kishën para Shtëpisë së Bardhë.
Pastaj Trump, foli në oborrin e kishës, duke treguar një kopje të Biblës. Në ato ditë përvëluese, Milley kundërshtoi kërkesën e Trumpit për të përdorur ushtrinë për të shuar trazirat, një detyrë që i takon ligjërisht policisë dhe jo ushtrisë.

Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje