Një tjetër skandal trukimesh ka shpërthyer në Itali. Këtë herë nuk ka të bëjë me trukim ndeshjesh, por me arbitrat, më saktë me trukimin e vlerësimit të tyre, duke favorizuar disa prej tyre për të gjykuar në Serinë A. Skandali është zbuluar pas denoncimit të Daniele Minelit e Nikolo Baronit, dy arbitra, në Prokurorinë e Romës.
Në materialin prej 7 faqesh, siç bën me dije “La Repubblica”, denoncohen vlerësimet pas ndeshjeve të arbitrave, vlerësime të larta fiktive për të favorizuar kalimin e disa arbitrave në Serinë A. Disa arbitra vlerësohen me notë të lartë qëllimisht, disa të tjerëve u ulet qëllimisht nota. Në denoncim flitet edhe për një çat sekret mes pjesëtarëve të komisionit të arbitrave, ku diksutohet për ndryshim note: “Duhet të heq 8.6 dhe t’i vendos një 8.7”, – shkruhet në një bisedë.

Deri vitin e kaluar, Mineli dhe Baroni gjykonin në Serinë B, por më 31 gusht 2020 u larguan nga komisioni “për motive teknike”. Ka qëndruar në detyrë Ivan Robilota, i fundit në renditje, si dhe Euxhenio Abatista, që ishte gati të largohej. Nga këto fakte është bërë edhe denoncimi, sepse nota për Abatistën ishte 8.6 dhe ajo +0.1 ka bërë që të promovohet në Serinë A.
Në materialin e denoncimit ka edhe “screenshot”-e të bisedave me mesazhe të 21 gushtit 2020. Morganti, përgjegjës i sektorit të vlerësimit të arbitrave, në këto biseda ka shkruar: “Vendosi Abatistës 8.7”. Një tjetër ka shkruar: “Duhet të vlerësohen me 8.7 Saki, Forneau dhe Abatista”.
Duket një situatë e ngjashme me atë që ndodh edhe në Shqipëri me sektorin e arbitrimit, ku disa arbitra në mënyrë të çuditshme i ngjitin shkallët, madje po kështu marrin edhe stemën e FIFA-s. Vetëm se në vendin tonë askush deri tani nuk e ka marrë guximin të bëjë një denoncim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje