Karlos Nuzman ishte i akuzuar bashkë me persona të tjerë se ka paguar 2 milionë dollarë për të pasur 6 vota, për të fituar të drejtën e organizimit të Olimpiadës dhe Paralimpiadës. Ish-numri 1 i sportit brazilian do ta ndjekë çështjen në Apel.
Karlos Artur Nuzman, drejtuesi më i lartë i komitetit organizator të Olimpiadës Rio 2016 dhe ish-president i COB (Komiteti Olimpik Brazilian), është dënuar me 30 vjet, 11 muaj dhe 8 ditë burg, pasi ka kryer veprat e korrupsionit, organizimit kriminal, riciklimit të parave dhe evazionit fiskal.

Vendimi i drejtësisë së Rio de Zhaneiros vjen pas operacionit “Unfair Play” (loja e pistë), që ka të bëjë me blerjen e votave për përzgjedhjen e Rios si vend organizator të Olimpiadës 2016. Nuzman do ta vazhdojë çështjen në Apel, pasi avokatët e tij kanë thënë se Gjykata e ka dënuar pa prova.
Ministria Publike Federale në Brazil kishte bërë një denoncim kundër Nuzman, por edhe kundër ish-guvernatorit të Rios Serxhio Kabral Filho, sipërmarrësit Artur Cesar de Menezes Soares Filho, si dhe kundër ish-drejtorit të komitetit Rio 2016, Leonardo Gryner. Këta persona kanë korruptuar liderin e atletikës senegaleze Lamine Diack dhe djalin e tij Papa Diack për t’u marrë votat.
Në të njëjtin proces, Serxhio Kabral Filho është dënuar me 10 vjet e 8 muaj burg për korrupsion, ndërsa për Leonardo Gryner është dhënë dënimi 13 vjet e 10 muaj burg për korrupsion dhe organizim kriminal. Për t’u veçuar është fakti se Kabral është prej 5 vitesh në burg për vepra të tjera penale.
Dhe pikërisht nga burgu ai ka pranuar para gjykatësit Marcelo Bretas se ka paguar rreth 2 milionë dollarë në këmbim të 6 votave në mbledhjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që i dha Rios të drejtën për organizimin e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje