Futboll

Skandali / Valadolid-Valencia e trukuar, 7 lojtarë ishin të blerë

“El Mundo” publikon përgjimet telefonike për ndeshjen Valadolid-Valencia, që dyshohet se është trukuar. “Valencia duhet të fitojë me një gol në çdo pjesë”. Dhe ndeshja përfundoi pikërisht 0-2. Shtohen dyshimet dhe duket se lojtarët e ekipit vendas janë blerë.

Një javë pas arrestimeve të para, zbulohen të tjera detaje në lidhje me skandalin e basteve, që ka tronditur Spanjën. E përditshmja iberike “El Mundo” ka publikuar fakte për ndërhyrje në paracaktimin e ndeshjes Valadolid-Valencia, e vlefshme për javën e javën e fundit të kampionatit dhe që zyrtarizoi ekipin mik në Champions League. “Ka një akord xhentëllmenësh, shtatë lojtarë janë blerë. Valencia do të fitojë si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë. Askush nuk mund ta zbulojë”, – i thotë një mikut të tij në telefon Karlos Aranda, lideri i organizatës që dyshohet se është pas trukimit të mundshëm të ndeshjes së përmendur më lart. Dhe ndeshja u mbyll 0-2, pas dy gabimeve të mbrojtjes së Valadolidit në rastet e të dy golave.

Borja Fernandez, kapiteni i Valadolidit, gjatë ndeshjes me Valencian

Shtatë lojtarët e dyshuar se janë blerë, janë të gjithë të Valadolidit. Dhe ndërmjetësi mes Arandas dhe lojtarëve është Borja Fernandez, kapiteni i ekipit, që u tërhoq nga futbolli pikërisht pas asaj ndeshjeje. Borja Fernandez ka marrë çantën me euro nga Raul Bravo, ish-lojtar i Real Madrid, për të bindur shokët e ekipit për trukimin e ndeshjes. Kjo gjë, sipas hetuesve, ka ndodhur në shtëpinë e sulmuesit Keko. Pjesa më e madhe e përgjimeve që kanë në duar hetuesit lidhen me kreun e organizatës Aranda dhe Raul Bravon, i cili ka ndërruar shpesh telefonin me qëllimin për t’u shpëtuar përgjimeve. Në pritje përfundimit të procesit hetimor, Aranda dhe Bravo janë liruar me kusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë