Futboll

Skënderbeu dhe Kukësi sot në fushë, u ndalohet gabimi

Fitorja e Partizanit në derbi dhe shkëputja e tij në krye, e bën të detyrueshme fitoren për Skënderbeun dhe Kukësin, dy nga rivalët e tij, që zbresin sot në fushë. Korçarët, që presin në shtëpi Teutën, një “mace e zezë” për ta, janë katër pikë prapa të kuqve dhe nuk duhet të falin për ta çuar sërish në një pikë diferencën. Teuta është skuadra e parë që e ka mundur Skënderbeun në këtë kampionat, ndërkohë që gjithmonë i ka hapur punë këtij ekipi, madje i ka marrë pikë edhe në Korçë.

Trajneri Orges Shehi e di fort mirë rëndësinë e ndeshjes dhe ka kërkuar nga të tijtë të bëjnë më të mirën për t’u kthyer te fitorja, pas barazimit me Tiranën javën e kaluar. Durrsakët kanë pasur rritje javët e fundit dhe kanë si objektiv një vend në Kupat e Europës. Një ndeshje speciale do të jetë për trajnerin e Teutës, Bledi Shkëmbin, ish-kapitenin legjendar të Skënderbeut, si dhe për disa lojtarë si Tefik Osmani, Ditmar Bicaj dhe Gerhard Progni, që janë shpallur kampionë me korçarët në të kaluarën.Ndeshja Skënderbeu-Teuta luhet në orën 17:00 dhe temperaturat në qytetin juglindor parashikohet të jenë të ulëta. Kushtet atmosferike favorizojnë pa dyshim “Ujqërit e dëborës”.

Nga një ndeshje mes Kukësit dhe Luftëtarit

Pak më të vështirë do ta ketë Kukësi, një tjetër pretendent për titull, që luan në transfertë me Luftëtarin. Skuadra e trajnerit Cungu është më larg kreut dhe kurrsesi nuk duhet të lërë pikë të tjera. Gjirokastritët kanë dalë nga zonë e ftohtë dhe nuk e kanë presionin e pikëve, por synimi i tyre i vetëm mbetet fitorja përpara tifozëve, ndaj dhe ndeshja parashikohet të jetë mjaft e fortë.   

Të dyja ndeshjet e kësaj të diele në Superligën shqiptare do të mund të ndiqen nga të gjithë tifozët në platformën DigitAlb. Sifa Kukësi-Luftëtari, duke filluar nga ora 14:00 do të mund të ndiqet në Supersport 3, ndërsa përballja tjetër mes Teutës dhe Skënderbeut, duke filluar nga ora 17:00 do të mund të ndiqet po në kanalin Supersport 3.

Java e 15-të e Superiores do të mbyllet me dy ndeshjet e së dielës, ku Flamurtari shkon në fushën e Kastriotit, ndërsa Laçi pret Kamzën.Ndeshje shumë të rëndësishme këto sa i takon fundit të tabelës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë