Sport

Skiatori Deni Xhepa zë vendin e 28-të në sllallomin special në Olimpiadën e Pekinit

Gazeta Si – Skiatori shqiptar, Deni Xhepa, ka bërë sot edhe garën e dytë në Lojërat Olimpike dimërore të Pekinit. Këtë herë ai ka bërë një paraqitje pozitive në sllallomin special dhe pas dy zbritjeve ka zënë vendin e 28-të, duke regjistruar kohën 1’53”28.

Xhepa, sportisti i vetëm shqiptar në këtë Olimpiadë, i kreu me sukses të dyja provat. Në të parën ai zuri vendin e 34-t, që mundësoi renditjen mes 44 më të mirëve për provën e dytë. Dhe në zbritjen e dytë Xhepa e përmirësoi kohën në 44”96, duke zënë kështu vendin e 28-të në renditjen përfundimtare.

Xhepa dhe ministrja Kushi në momentin e dorëzimit të flamurit. Gazeta Si, 16 shkurt 2022

Ky është një rezultat i mirë për Shqipërinë, por të kemi parasysh faktin se në garë merrnin pjesë 88 skiatorë. Koha e Xhepës ishte +9”19 nga francezi Clement Noel, i cili zuri vendin e parë.

Me këtë garë mbyllet përfaqësimi i Shqipërisë në Olimpiadën dimërore të Pekinit. Xhepa nuk mori rezultat në garën e parë të sllallomit gjigant, sepse nuk arriti ta përfundoi atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë