Ne rrjet

Sllovenia: Presim përparim të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë në tetor

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa u zotua të martën se do të shtyjë përpara përpjekjet për përshpejtimin e procesit të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Duke folur gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian, ai heksoi se është i mundur përparim në procesin e zgjerimit me Shkupin dhe Tiranën në tetor nëse ka pëlqim të vendeve anëtare.

Kryeministri slloven tha se nuk i kupton vendet-anëtare të BE-së të cilat kundërshtojnë, por tha se nevojitet debat tërësor për hapjen e negociatave me dy vendet por edhe vetë strategjinë e zgjerimit.

“Ekziston dilemë në Europë nëse zgjerimi është me rëndësi strategjike apo jo”, tha Jansa, vendi të cilit ndërmori timonin e BE-së për gjashtë muaj.

Ai theksoi se sipas tij ky është është një çështje thelbësore dhe se në pesëmbëdhjetë vitet e fundit BE-ja jo vetëm që nuk është zgjeruar, por edhe është zvogëluar.

Ndërkohë, shtoi Jansa, forca të tjera ndikojnë mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“BE-ja kalon shumë kohë duke u përgjigjur taktikisht në pasojat e krijuara nga të tjerat, BE-ja është një ide e shkëlqyer dhe duam që vende të tjera të bashkohen, bëjmë gjithçka që mundemi të ndihmojmë këto vende të inkuadrohen”, tha Jansa.

Për Slloveninë zgjerimi duhet të jetë prioritet i lartë në Këshillin e BE-së midis vendeve-anëtare.

“BE-ja bën hapa të mëdha përpara kur fokusohet. Nëse zgjerimi bëhet tema e gjashtë në rend dite asnjëherë nuk do të arrijmë përparime. Nëse e vëmë në krye të agjendës, do të mund të bëjmë hapa konkretë përpara, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të shkojnë përpara në samitin e ardhshëm në tetor nëse përqendrohemi të gjithë në këtë drejtim, Komisioni Evropian ndihmon, por ky është në vendim politik”, tha shefi i qeverisë sllovene.

Më 1 korrik Sllovenia ka marrë udhëheqjen gjashtëmujore të BE-së. Që nga viti 2019 procesi i integrimit ka ngecur, pasi disa vende anëtare të prira nga Franca, bllokuan nisjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shipërinë.

Së fundi, Bullgaria është bërë pengesa kryesore për çdo përparim, pasi ka refuzuar të japë dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut për të filluar negociatat për shkak të disa mosmarrëveshjeve për identitetin dhe historinë.

Brukseli është i shqetësuar për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në vendet e Ballkanit, të cilave dikur iu kishte premtuar se kanë një rrugë të qartë drejt integrimit evropian.

Jansa po planifikon të organizojë një samit në muajin tetor midis udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si një përpjekje për të fuqizuar raportet.

“Nëse nuk jemi të aftë ta realizojmë këtë, nëse nuk bëjmë një hap përpara në Ballkanin Perëndimor, atëherë këto veprime do të ndërmerren nga dikush tjetër, nga dikush që ka interesa dhe vlera të ndryshme”, tha Jansa në Parlamentin Europian në Strasburg.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti deklaratën e Jansas duke thënë se samiti i tetorit do të “dërgojë një mesazh të rëndësishëm se këto vende janë partnerë thelbësorë strategjikë”.

Rusia dhe Kina kanë rritur përpjekjet e tyre për të ndikuar vendet e Ballkanit gjatë pandemisë duke dërguar miliona vaksina të koronavirusit në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë