Futboll

Sot derbi i Shqipërisë, Tirana “e dënuar” për fitore ndaj Vllaznisë

Pas ndalesës në Durrës, Tirana pret sot Vllazninë për javën e 30-të të Superiores. Në të ashtuquajturin “derbi i Shqipërisë”, dy skuadrat vijnë me synime të kundërta: Tirana është pranë titullit kampion, kurse Vllaznia lufton për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Një ndeshje delikate, ku rezultati merr përparësi në raport me spektaklin në fushë, aq më shumë që mungojnë edhe tifozët. Ndeshja luhet në orën 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Ngushtimi i diferencës në 6 pikë me Kukësin e bën të domosdoshme fitoren për Tiranën. Trajneri Emanuel Egbo është shfaqur shumë i qetë pas humbjes me Teutën, duke shprehur bindjen se skuadra e tij do të reagojë menjëherë. Edhe Vllaznia vjen pas një gabimi në fushën e saj me Bylisin, një rival direkt. Ndaj Tiranës motivimi dhe egoja janë në shkallën maksimale, por trajneri Hysen Dedja ka disa mungesa të rëndësishme për ndeshjen e sotme, si mbrojtësi Marku dhe mesfushorët Ramadani dhe Hygor. Do jetë luftë nervash në fushë, ku Tirana niset favorite. Kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për Tiranën, pasi më pas nis “malorja” për të me sfidat ndaj Skënderbeut, Kukësit e Partizanit.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Flamurtarit këtë sezon. Gazeta Si, 19 qershor 2020

Sot luhet edhe ndeshja tjetër e javës së 30-të, Flamurtari-Partizani. Vlonjatët i kanë larë duart me Superioren dhe luajnë pa asnjë lloj presioni, kurse Partizani, pas fitores së thellë me Luftëtarin, ka një tjetër mundësi t’i afrohet zonës europiane. Të kuqtë do të jenë sot pa mbrojtësin Egzon Belica, por pritet të rikthehet kapiteni Alban Hoxha, i cili ka munguar në dy ndeshjet e fundit dhe është vënë në qendër të vëmendjes nga zërat e merkatos që e çonin te Tirana, por që janë mohuar nga portieri cërrikas.

Tri ndeshjet e tjera të kësaj jave do të zhvillohen nesër. Një provë të vështirë do të ketë Kukësi, që luan në fushën “e egër” të Laçit. Teuta shkon në Gjirokastër për t’u ndeshur me Luftëtarin e rënë dhe Skënderbeu luan më Bylisin në transfertë.

Java e 30-të
Sot, ora 17:00
Tirana-Vllaznia
Flamurtari-Partizani
Nesër
Laçi-Kukësi
Bylis-Skënderbeu
Luftëtari-Teuta


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë