Futboll

Sot finalja e Ligës së Europës/ Arsenali do trofeun dhe Championsin, tension te Çelsi

“Olimpic Stadium” në Azerbajxhan pret sot në mbrëmje finalen e Ligës së Europës, apo finalen “e vogël”, siç quhet në raport me atë të Ligës së Kampionëve. Një finale angleze, madje një derbi i Londrës, ku Çelsi dhe Arsenali janë një hap larg trofeut. Në finalen e Bakusë dy skuadrat vijnë në një atmosferë ndryshe, pozitive te “Topçinjtë” dhe e tensionuar te “Blutë” e Londrës. Gjithsesi, në fushë harrohet gjithçka dhe dy skuadrat do të japin maksimumin për t’u kthyer nga Azerbajxhani me trofe.

“Olimpic Stadium” në Baku, ku zhvillohet finalja e Ligës së Europës

Situata në kampin e Çelsit është acaruar në seancën e fundit stërvitore. Trajneri Mauricio Sarri, i cili ishte duke dhënë udhëzimet e fundit para finales, ka debatuar me mbrojtësin David Luiz, është nervozuar së tepërmi dhe më pas ka lënë fushën. Stërvitja nisi e qetë, por në momentin kur po ushtroheshin goditjet standarde, trajneri pati një zënkë me futbollistin brazilian, i cili më parë kishte pasur një debat me sulmuesin Higuain. David Luiz reagoi ashpër me fjalë dhe me gjeste, trajneri nuk e priti mirë këtë veprim dhe shpërtheu. Ai hodhi kapelën në fushë dhe u largua në mënyrë demonstrative para se të mbyllej stërvitja. Një episod që tregon qartë klimën e tensionuar te skuadra e Çelsit, ku e ardhmja e trajnerit është në dyshim të fortë. Në konferencë shtypi italiani ka hedhur poshtë zërat që e lidhin atë me Juventusin dhe theksoi se është i përqendruar për të fituar finalen e Ligës së Europës dhe më pas do të flasë me presidentin Abramoviç.

Trajneri i Çelsit, Mauricio Sarri, i nervozuar pas sherrit me David Luiz

Tek Arsenali atmosfera ka qenë shumë më pozitive. Trajneri Unai Emeri dhe futbollistët janë fotografuar të përqafuar në mes të fushës gjatë seancës së fundit stërvitore. Ata janë të bashkuar për ta mbyllur me sukses këtë aventurë në Ligën e Europës. Nëse fiton trofeun, Arsenali fiton njëkohësisht të drejtën për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, duke bërë që Anglia të përfaqësohet me 5 skuadra në kompeticionin madhor. Një mundësi e artë për një festë të dyfishtë, pasi skuadra e Emeri nuk mundi të siguronte një vend për në Ligën e Kampionëve nëpërmjet kampionatit, ku mbeti jashtë 4-shes së parë. Nga futbollistët me origjinë shqiptare të Arsenalit, titullar pritet të jetë Granit Xhaka, ndërsa mbrojtësi Shkodran Mustafi mendohet ta nisë nga stoli. Sa i takon formacionit të Çelsit, trajneri Sarri ka vendosur të lërë në stol mesfushorin Kante dhe sulmuesin Higuain.

Formacionet e mundshme të Çelsit dhe Arsenalit për finalen e sotme

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë