Futboll

Sot Liga e Konferencës/ Vllaznia për një tjetër mrekulli, Partizani për prestigj

Teuta bëri detyrën dy ditë më parë, duke eliminuar Inter Eskaldes të Andorrës për të kaluar në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Sot është radha e tri skuadrave të tjera shqiptare që marrin pjesë në këtë kompeticion dhe që në mbrëmje luajnë ndeshjet e kthimit, Partizanit, Laçit dhe Vllaznisë.

Vllaznisë i duhet të bëjë një tjetër përmbysje, një tjetër mrekulli në “Loro Boriçi”, edhe pse e ka më të lehtë se ndaj Shiroki Brijeg. Shkodranët e kanë humbur 1-0 ndeshjen e parë në Qipro ndaj Ael Limasolit dhe sot duhet të fitojnë me dy gola diferencë për t’u kualifikuar.

Është një ndeshje delikate, ku edhe gabimi më i vogël të kushton shumë, ndaj dhe trajnerin Tomas Bërdariç e ka përgatitur skuadrën me shumë kujdes. Entuziazmi dhe besimi në vetvete janë “armët” e Vllaznisë në këtë sfidë, sigurisht edhe tifozët, mbështetja e të cilëve do të ketë rol të rëndësishëm sonte në mbrëmje. Ndeshja fillon në orën 21:00.

Nga seanca e fundit stërvitore e Vllaznisë. Gazeta Si, 29 korrik 2021

Më parë (ora 20:00) zbret në fushë Partizani, që pret Bazelin e Taulant Xhakës në “Elbasan Arena”. Të kuqtë thuajse i kanë larë duart me humbjen 3-0 në Zvicër një javë më parë dhe sot do të luajnë më shumë për prestigj. Trajnerit Ilir Daja i janë shtuar vështirësitë pas mungesave të Mustës dhe Markut, kështu që i duhet të improvizojë për krahun e majtë të mbrojtjes. Rrapaj dhe Kote pritet ta nisin titullarë ndeshjen e sotme.

Laçi, të paktën në letër, është skuadra më e favorizuar shqiptare për të kaluar më tej. Kurbinasit e kanë fituar ndeshjen e parë ndaj Krajovës me rezultatin 1-0. Në Rumani mund të kualifikohen edhe me barazimin. Humbja e ndeshjes së parë shkaktoi një “tërmet” të vërtetë te rumunët, të cilët do të kërkojnë “hakmarrjen” me çdo kusht. Megjithatë, Laçi është një ekip që ka fituar përvojë në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë