Politike

Parlament dhe protestë, kryeministri Rama në Japoni

Gazeta Si – Ashtu si një javë më parë, opozita ka thirrur një protestë para Parlamentit, ndërsa seanca plenare do të vijojë normalisht.

Në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu si dhe diskutime për disa projektligje dhe projektvendime.

Një ditë më parë, kreu i PD-së Sali Berisha, tha se beteja në dy fronte, protestë dhe parlament, do të vijojë edhe këtë të enjte.

Vetë Berisha është i përjashtuar nga punimet e Kuvendit dhe pritet që t’u prijë vetë simpatizantëve në protestën para parlamentit.

Deputetët e Sali Berishës nuk presin dhe këmbëngulin që mocioni me debat që është parashikuar për datën 2 mars për çështjen e ish zyrtarit të FBI-së, “Charles McGonigal” të zhvillohet në seancën e sotme plenare.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm pasi ndodhet në një vizitë në Japoni. Me kreun e qeverisë, interpelanca në lidhje me çështjen “McGonigal”, është parashikuar në 2 mars.

Sot, rreth 700 efektivë policie do të jenë në terren për protestën e thirrur nga Sali Berisha para Parlamentit.

Perimetri i godinës së Kuvendit do të jetë i rrethuar me uniforma blu, ndërsa në të gjithë zonën janë shtuar masat e sigurisë.

Në vijën e parë do të qëndrojnë forcat e rendit dhe të njësisë “Shqiponja”, ndërsa FNSH dhe RENEA do të jenë në pjesën anësore të parlamentit.

Ndërsa efektivë të Gardës janë dislokuar në pjesën anësore nga krahu i “Pedonales” nga pritet të bëhet edhe hyrja e deputetëve.

Pritet të ketë kufizime të qarkullimit në rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” dhe kryqëzimi i rrugës së Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë