Spanjë-Gjermani është sfida më e rëndësishme e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kombeve. Në lojë është vendi i parë në grupin 4, ku Gjermanisë i mjafton edhe barazimi për të ruajtur kreun, pasi është një pikë para iberikëve. Serxho Ramos, kapiteni i Spanjës, ishte protagonist negativ në ndeshjen e fundit me Zvicrën, ku humbi dy penallti, megjithatë ai nuk heq dorë nga ekzekutimi i tyre.
Ramos mungoi në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes me Gjermaninë, duke shtuar zërat për e merkatos. Ai ishte personi që pritej më shumë në konferencë për disa tema. Ramos gjithsesi ka folur, jo për rinovimin e kontratës me Realin, por vetëm për Spanjën. Sipas “Mundo Deportivo”, federata spanjolle ka publikuar fjalët e kapitenit në profilin Tuiter. Një mënyrë për të kënaqur tifozët e Spanjës dhe për të mos ushqyer polemikat te Reali.

“Është krenari të kalosh një legjendë si Bufon. Kur e nisa karrierën, nuk e prisja të shkoja kaq lart. Në Sevilje kam kaluar shumë kohë në stërvitje, pas këtij rekordi është një punë shumë e madhe. Në fund të fundit, ky është sekreti. Dhe përderisa do të kem dëshirë, do të vazhdoj”, – ka thënë kapiteni i Spanjës.
Sigurisht, nuk mund të anashkalohej humbja e dy penalltive, por Ramos e ka arkivuar atë mbrëmje të errët në Zvicër. “Nëse do të ketë një penallti, patjetër që do ta gjuaja. Nëse nuk do ta përballoja këtë situatë, do të hiqja dorë nga të qenit vetvetja. Besoj se kur paraqitesh te pika e bardhë, gjithçka është e lidhur me gjendjen shpirtërore. Nëse në atë moment nuk ndihesh i sigurt, më mirë t’ia lësh atë detyrë dikujt tjetër”.
Dhe në fund një mendim për ndeshjen me Gjermaninë, ku Spanjës i duhet patjetër fitorja për të “Final Four”. “Luajmë një finale kundër një skuadre që është shpallur kampione bote para Francës. Kjo sfidë do të na ndihmojë të kuptojmë se sa janë mundësitë tona dhe deri ku mund të shkojmë”, – ka theksuar Ramos.
Tri ndeshjet e tjera të Ligës A në Ligën e Kombeve që luhen sot janë Kroaci-Portugali, Francë-Suedi dhe Zvicër Ukrainë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje