Sapo e shohin, të gjithë i kërkojnë të bëjnë foto, apo një autograf. Çdo ditë e njëjta histori, nga mëngjesi në darkë. Nihad Djedoviç është një basketbollist nga Bosnjë Hercegovina, i cili luan për Bajern Mynih prej vitesh. Është një personazh publik dhe si i tillë, është mësuar të ndalet në rrugë nga njerëz të zakonshëm. Vetëm se atij i ndodh kjo gjë më shpesh se lojtarëve të tjerë të basketbollit. Dhe fajin e ngjashmëria e madhe me futbollistin Zllatan Ibrahimoviç.
“Unë as që e di kush është ky Zllatan”, – tregon i bezdisur Djedoviç. Prej vitesh Nihad ngatërrohet sistematikisht me Ibrahimoviç. Një vit më parë, në rrjetet sociale të Euroligës u publikua një fotomontazh me nota humori, që i referohej autobiografisë së parë të futbollistit suedez, “I am Zlatan” (Unë jam Zllatan). Në kopertinën e fotomontazhit ishte fotoja e Nihad Djedoviç që zëvendësonte atë të Ibrahimoviçit, por edhe titulli ishte ndryshuar në “I am not Zlatan” (Unë nuk jam Zllatan). Por edhe kjo lëvizje nuk i ndryshoi gjërat.

Tifozët sërish nuk arrijnë ta bëjnë dallimin mes futbollistit dhe basketbollistit. Djedoviç vendosi së fundi të shëtiste në rrugët e Majhemit, duke u hequr si Ibrahimoviç. Taksisti që po e shëtiste me makinën e tij, i bindur se ishte futbollisti, bëri edhe një telefonatë-video me të birin, një fans i çmendur i suedezit. Kur disa të rinj që merren me basketboll i kërkuan një foto, pasi kujtuan se ishte Ibra, Nihad i sfidoi në basketboll dhe aty, pikë pas pike zbuloi identitetin e tij. Ai publikoi në fund edhe videon e ditës në rrjetet sociale të Bajernit. Gjithsesi, edhe kjo gjë nuk mendohet se do t’i evitojë kërkesat për foto e autografë nga tifozët e bindur se kanë përballë Zllatan Ibrahimoviç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje