Mbledhja e komisionit hetimor për incineratorët vijoi me përplasjet dhe interpretimet e kundërta mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon konfliktit të interesit që parashikohet në legjislacionin vendas.
Për opozitën, këmbëngulja e socialistëve për të mos lejuar gazetarin Artan Rama që të dëshmonte në komision nuk kishte të bënte me konfliktin e interesit, por për të penguar dëshminë e tij dhe zbuluar shkeljen e rëndë të procedurave në dhënien e koncesionit të incineratorit të Elbasanit.
Pas hapjes së mbledhjes dhe njoftimit të rendit të ditës nga kryetarja Jorida Tabaku, fjalën e mori Edmond Spaho, që akuzoi mazhorancën se është e vendosur që ta dështojë hetimin parlamentar për këtë çështje dhe njoftoi largimin nga Komisioni.
“Ky komision do të ketë fatin e komisioneve të tjera dhe nuk do të prodhojë rezultat, pavarësisht përpjekjeve për të nxjerrë faktet në dritë dhe zbuluar të vërtetat e vjedhjes me incineratorët. Ligji për komisionet hetimore duhet të ndryshojë dhe palës që e kërkon t’i jepet edhe shumica në komision. Kështu siç është ligji është e kotë. Ata do të bllokojnë hetimin”, tha Spaho.
Ndërkohë, administratori i incineratorit të Fierit, Loren Duzha, që duhej të dëshmonte në këtë seancë ka dorëzuar në Komision një dokumentacion që është i infektuar me Covid. Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha se ai do të merret në pyetje përmes platformave online.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje