Nga Gazeta ‘Si’-Hetimi i Sali Berishës dhe arrestimi i dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezit ka sjellë efektet e para në grupi parlamentar të Partisë Demokratike.
Tentativat e bashkimit të dy prej tre fraksioneve në PD, deputetëve të Foltores dhe atyre që ndjekin Gazment Bardhin, duket se rasti “Berisha” i ka kthyer sërish në pikën zero, ose afër saj. Disa orë pasi u bë publike marrja në hetim e ish kryeministrit dhe kufizimi i tij, në ekrane dhe në rrjetet sociale janë parë të komentojnë vetëm ithatërt e Rithemelimit, por asnjë nga deputetët e grupit “Bardhi”, të cilët kanë mbajtur një heshtje varri ndaj aksionit të SPAK.
Nga Foltorja, Edi Paloka ka sulmur ashpër SPAK dhe GJKKO, duke e cilësuar urdhër kufizimin e Sali Berishës dhe arrestimin e Jamarbër Malltezit për çështjen e privatizimit të kompleksit të klubit Partizani një vendim të urdhëruar nga Edi Rama, me prapavijë politike për të goditur opozitën. Në këtë linjë janë thuajse të gjithë personazhet publike të Foltores që kanë dalë në media që pas të shtunës në mbrëmje, duke u rreshtuar në linjën e komenteve të Sali Berishës. Deputeti Oerd Bylykbashi ka sulmuar SPAK lidhur me masën e marrë ndaj Berishës, duke kujtuar se ai është deputet dhe si i tillë gëzon imunitet. Për Bylykbashin masa, si arrestimi si kufizimi apo tjetër ndaj një deputeti, duhet të kalojë patjetër në Kuvend, në të kundërt është shkelje e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Gazment Bardhi dhe rreth 20 deputetët e rreshtuar pas tij nuk kanë dhënë asnjë deklaratë publike, as në rrjete sociale dhe as në ndonjë dalje tjetër publike.
Grupi “Bardhi” duket po ruhet që të mos marrë mbi vete asnjë lloj kostoje politike për t’i dalë në mbrojtje as realisht dhe as sa për sy e faqe Sali Berishës, në mënyrë që nesër të mos akuzohen se janë bërë palë me të në përpjekjet për të përdorur pikërisht PD si mburojë politike të Sali Berishës.
Nga ana tjetër, përfituesi më i madh i aksionit të Spak, Lulzim Basha ëshë i vetmi që ka vijuar axhendën e tij, me takimet në rrethe, ku gjatë një tubimi në Dibër ka folur për gjithçka që lidhet me opozitën, por nuk është ndalur dhe nuk e ka prekur fare çështjen Berisha. Për Bashën, opozita ka humbur dy vjet dhe nga sot nis ndërtimi i një alternative ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje