Nis një kapitull i ri tek Interi, ai i ish-drejtuesit te Juventusit, Bepe Marota. Drejtuesit e klubit zikaltër do t’i dorëzojnë sot zyrtarisht çelësat e sektorit teknik të klubit. Dora e Marotës në merkato do të ndihet plotësisht në verë, ndërsa tani e gjithë vëmendja është te pasuesi i Spaletit, i cili është drejt largimit.
Nga sot fillon era “Marota”, njeriu që do të ndërtojë Interin e së ardhmes. Ai është një administrator i deleguar i “fushës” dhe jo i llogarive të klubit. Marota do të jetë në krah të Antonelos, i cili do të qëndrojë dhe do të jetë administrator i deleguar i sektorit administrativo-ekonomik. Ish-drejtuesi i Juventusit do të futet në bordin drejtues të klubit, në vend të njërit prej 9 këshilltarëve. Kontaktin e parë me skuadrën do ta ketë të premten dhe tifozët zikaltër presin të mësojnë deklaratat e tij të para për Interin e ri. Megjithatë, nuk ka më sekret për atë çfarë Marota synon të bëjë, duke nisur nga ndryshimi në stol.

Çështja e trajnerit është e para që duhet qartësuar. Spaleti ka një kontratë deri në vitin 2021, të rinovuar verën e shkuar, por zhgënjimi në Champions League dhe rreziku i objektivave të tjerë sezonalë e kanë vënë në diskutim qëndrimin e tij. Vështirë se trajneri toskan do të konfirmohet, kështu që Marota po punon për zëvendësuesin e tij, ku i pari në listë është emri i Antonio Kontes. Nuk janë thjesht zëra. Marota dhe Konte kanë fituar bashkë te Juventusi tre tituj kampion dhe pavarësisht ndarjes traumatike në vitin 2014, raportet mes të dyve kanë mbetur shumë të mira.
Por Konte nuk është i vetmi emër që Marota ka në mendje. Zhoze Mourinjo, ish-trajner i Interit, dhe Diego Pablo Simeone, ish-lojtar i Interit, janë dy kandidatë të tjerë për të marrë vendin e Spaletit. Orët e këtij të fundit duken të numëruara dhe Marota duhet ta ketë gati zgjidhjen për stolin zikaltër, me Antonio Konten në “pole position”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje