Futboll

Spanja në kaos pas infektimit të Buskets, vaksinat bëhen çështje

Serxhio Buskets ndodhet në shtëpinë e tij në Barcelonë, ku u kthye me ambulancë. Gjashtë orë udhëtim nga Las Rozas, periferi e Madridit, ku ndodhet qendra stërvitore e kombëtares spanjolle. Kapiteni i Spanjës doli pozitiv me Covid-19 pas testeve të kryera ditën e pushimit, duke ngritur alarmin. Sepse mesfushori e ka kaluar javën me shokët e ekipit, ka dhënë intervista dhe të premten luajti një orë kundër Portugalisë, që për pasojë është alarmuar dhe shpreson të mos ketë të infektuar.

Masa e parë që është marrë, përveç izolimit të Buskets, është që në miqësoren me Lituaninë të luajë Spanja U-21, e grumbulluar me shpejtësi nga pushimet, pas eliminimit nga Europiani. Lojtarët e tjerë të ekipit të Luis Enrikes kanë dalë të gjithë negativë, por inkubacioni ka kohë të ndryshme dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të tjerë pozitivë.

Buskets në miqësoren ndaj Portugalisë. Gazeta Si, 7 qershor 2021

Pyetja që lind është se si ka mundësi që lojtarët e Spanjës nuk janë vaksinuar? Në Spanjë për këtë temë ka shumë polemika, sepse federata kërkoi që lojtarët të vaksinoheshin, kurse Ministria e Shëndetit i tha “jo” një trajtimi preferencial të futbollistëve, një trajtim që në fakt iu bë sportistëve që do të marrin pjesë në Olimpiadë, duke përfshirë dhe ekipin olimpik të futbollit.

Në qendrën stërvitore Las Rozas janë prishur të gjitha planet: lojtarët të ndarë dhe stërvitje të kushtëzuara një javë para debutimit në Europian kundër Suedisë. Luis Enrike kishte grumbulluar 24 lojtarë dhe jo 26, kështu që mund ta zëvendësojë Busketsin deri të dielën. Frika për një vatër të mundshme infeksioni është e madhe te spanjollët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë