Bota

Spanjë, Gjykata Kushtetuese rrëzon bllokimin për Covid 19 pranverën e kaluar

Bllokimi i vendosur nga qeveria në Spanjë pranverën e vitit të kaluar, ishte antikushtetues. Kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese Spanjolle, duke e konsideruar të papërshtatshëm mekanizmin ligjor të përdorur nga ekzekutivi në atë kohë.

Vendimi i Gjykatës – i miratuar me një shumicë prej gjashtë votash pro dhe pesë kundër – mund të rezultojë në heqjen e gjobave ose sanksioneve të tjera (të cilat sipas të dhënave të raportuara nga “El País”, ishin mbi 1,1 milionë euro vetëm gjatë muajve të izolimit të parë), ndaj atyre që u kapën jashtë shtëpisë pa ndonjë arsye të vlefshme.

Në fakt, Gjykata nuk vuri në dyshim domosdoshmërinë ose rëndësinë e masave të nisura në atë kohë nga qeveria e Pedro Sanchez, por mekanizmin ligjor të zgjedhur për zbatimin e tyre, që është gjendja e jashtëzakonshme shëndetësore.

Duke qenë se bllokimi përbënte një kufizim të të drejtave themelore të qytetarëve, siç është liria e lëvizjes, sipas Gjykatës, ekzekutivi duhet të kishte rishikuar vendosjen e shtetrrethimit, i cili megjithatë – ndryshe nga ai i një emergjence shëndetësore – kërkonte një votim të favorshëm nga ana e Parlamentit.

Qeveria spanjolle shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 14 mars 2020 për të frenuar valën e parë të infeksioneve nga pendemia Covid-19.

Në atë kohë, rastet dhe vdekjet me koronavirus ishin në rritje dhe spitalet ishin plot. Sipas rregullave, pothuajse e gjithë popullsia u urdhërua të qëndronte në shtëpi. Të gjitha aktivitetet, përveç atyre thelbësore, u mbyllën.

Kufizimet qëndruan në fuqi deri në qershor 2020, megjithëse disa u rivendosën më vonë gjatë vitit kur vendi u përball me një valë të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë