Futboll

Spanjë-Turqi, ndeshja e parë në histori e vendosur me “kokë a pil”

Më 17 mars 1954, Spanja dhe Turqia ndeshen mes tyre për një biletë që vlen për të shkuar në Botërorin e Zvicrës. Ndeshja mbyllet në barazim dhe një djalosh 14-vjeçar thirret për hedhjen e shortit që do të përcaktojë skuadrën fituese. Ai djalosh quhet Luixhi Franko Xhema dhe do të ndërrojë jetë në vitin 1987, pas një aksidenti rrugor.

Zhak Monod, një biolog i rëndësishëm i 1900-ës, fitues i Çmimit Nobel në 1965-ës, ka shkruar disa libra interesantë në lidhje me rastësitë gjenetike që përcaktojnë botën. Kur dora e Luixhi Franko Xhemës, i biri i një punonjësi të stadiumit “Olimpico” të Romës, u fut brenda një kupe për të marrë biletën fituese, dy kombe ishin në pritje të sentencës: Turqia dhe Spanja. Luixhi Franko u zgjodh rastësisht nga Federata italiane mes disa djemsh të pranishëm në stadium. Sanço Davila, presidenti i Federatës spanjolle, shkroi emrin e Spanjës në një letër dhe e sistemoi në kupë, i frikësuar për rastësinë. Luixhi Franko kap një letër dhe pas tij dikush e hap.

Moment nga ndeshja shtesë Spanjë-Turqi, e luajtur në Romë. Gazeta Si, 17 mars 2020

Kthehemi disa muaj prapa. Është viti 1954, kombëtarja turke, – e drejtuar nga italiani Sandro Pupo – dhe ajo spanjolle luajnë ndeshjen kualifikuese për në Botëror. Formula parashikon dy ndeshje, një në Spanjë dhe një në Turqi, kush fiton merr 2 pikë, barazimi vlen 1 pikë dhe humbja 0. Nuk ka rregullore tjetër për të vazhduar përpara, penalltitë ende nuk kanë dalë në skenë.

Në Madrid, më 6 janar, Spanja fiton 4-1 me shumë lehtësi dhe duket se nuk do të ketë probleme në ndeshjen e kthimit thuajse 2 muaj më pas. Më 14 mars, në Stamboll, Turqia fiton 1-0 dhe është e nevojshme që të luhet një ndeshje shtesë në një fushë neutrale. Vendoset që ndeshja të luhet në Romë, më 17 mars 1954, ora 15:30, para 60 mijë spektatorëve. Arbitron Xhorxho Bernardi, një nga më të mirët e viteve ’50.

https://youtu.be/WLH9T19E_2E
Ndeshja shtesë Spanjë-Turqi, e zhvilluar në Romë. Gazeta Si, 17 mars 2020

Në Itali sapo ka nisur transmetimi televiziv në një kanal të vetëm. Ndeshja fillon me shumë tension, shënon Spanja me Artetxe, një gol i anuluar i Pasiequito më pas për pozicion jashtë loje, barazon Turqia me një kthesë spektakolare të Burhan Sargın. Nuk është një ndeshje e bukur, por e fortë, “e keqe” dhe pak teknike. Turqia kalon në avantazh me Suat Mamat, por në fund barazon sulmuesi Eskudero. Pak minuta para fundit ka një faull ndaj portierit turk, kë të shtyra, shkelma dhe shumë nervozizëm. Mbyllet ndeshja dhe më pas është radha e kohës shtesë, që nuk ndryshon asgjë. Varet gjithçka nga Luixhi Franko Xhema.

Dora e Luixhi Frankos që “zgjodhi” Turqinë. Foto ilustruese e kohës. Gazeta Si, 17 mars 2020

Dikush lexon letrën dhe thotë: Turqia! Dora e Luixhi Frankos vendos që në Zvicër të shkojë Turqia. Gëzim dhe lumturi te turqit, të cilët e ftojnë djaloshin nga Roma për një muaj pushime në Turqi, madje duan ta marrin me vete edhe në Zvicër me shpresën ai do të vazhdojë t’u sjellë fat. Një ditë më pas, në aeroportin e Madridit, qindra tifozë kundërshtojnë skuadrën e tyre, duke u kërkuar lojtarëve të largohen. Presidenti i Federatës spanjolle, Sanço Davila, është nervoz dhe pretendon se Spanja është lënë jashtë Botërorit për shkak të regjimit të Frankos, i urryer në shumë vende, sidomos në Europë.

Luixhi Franko shkon për darkë me turqit, ndërsa në qershor niset nga stacioni i Terminit për në Zvicër, i shoqëruar nga e ëma, së cilës i premton se do të rishihen pas finales së 5 korrikut. Por në Botëror Turqia eliminohet që në grup dhe kthehet në shtëpi, pasi shkatërrohet keq nga Gjermania. Futbolli, ndërkohë që Luixhi Franko rritet, fillon të ndryshojë. Në vitin 1968, Yosef Dagan, një gazetar izraelit, pasi sheh që skuadra e tij të eliminohet nga “kokë a pil”-i ndaj Bullgarisë, propozon që të gjuhen penalltitë për të përcaktuar fituesin. Një propozim që shihet me dyshim, por në fund vendoset që të aplikohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë