Bota

Spitalet në kolaps nga Covid në Hong Kong, pacientët me barela në rrugë (Foto)

Gazeta Si – Gjendja alarmi në Hong Kong, ku për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, Covid-19 ka tejkaluar dy mijë infeksione, duke u ndalur në 2071, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në një ditë të vetme.

Provinca kineze ka vendosur gjithashtu të zgjasë pezullimin e shkollave dhe mësimdhënies në klasë deri më 7 mars për të parandaluar valën e infeksioneve, numri i të cilave duket i destinuar të përkeqësohet, duke parë se 4,500 persona ishin paraprakisht pozitivë për Covid-19.

Disa dëshmitarë dhe media, përfshirë agjencinë “Bloomberg”, raportojnë lajme dhe imazhe të pacientëve që trajtohen në rrugë.

Rreth një duzinë të moshuar, të mbështjellë me batanije, u detyruan të prisnin në shtretërit e spitalit jashtë Qendrës Mjekësore Caritas në Sham Shui Po, një nga rrethet më të varfra në qytet.

Një grup tjetër njerëzish, përfshirë fëmijë të vegjël, u ulën në çadrat e izolimit blu përballë rrugës, duke pritur që të vizitoheshin nga stafi mjekësor.

Autoritetet shëndetësore vendase kanë vendosur gjithashtu që nga nesër, të vihet në dispozicion vaksina e prodhuar nga grupi kinez “Sinovac” edhe për fëmijët tre vjeç, ndërsa nga e mërkura, do të mund të vaksinohen fëmijët të paktën deri 5 vjeç me serumin e zhvilluar nga BioNTech, për të luftuar transmetimin e virusit tek më të rinjtë.

Sipas gjetjeve të Qendrës për Mbrojtjen e Shëndetit të qytetit kinez, rreth 4% e pacientëve në valën aktuale të infeksioneve, e pesta, janë jo më shumë se katër vjeç.

Për të frenuar valën aktuale të infeksioneve të variantit Omicron “sa më shpejt të jetë e mundur”, udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka ngritur pesë “Task forca” që do të veprojnë në koordinim me përfaqësuesit e qeverisë qendrore kineze, për të cilat ajo shprehu “mirënjohje të sinqertë dhe me autoritetet e Guangdong, provinca juglindore kineze në kufi me Hong Kongun.

“Vala e pestë e shpërthimit goditi fort Hong Kongun dhe mposhti aftësinë e qytetit për ta menaxhuar atë, – shtoi Lam në një deklaratë. – Situata është shumë kritike dhe qeveria e Rajonit Special Administrativ të Hong Kongut ndihet e shqetësuar dhe i vjen keq për këtë.”

Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ka urdhëruar qeverinë e Hong Kongut të kontrollojë spiralen epidemike të Covid-19 që ka përfshirë sistemin shëndetësor të qytetit, duke theksuar shqetësimet në rritje të Pekinit për krizën dhe duke rritur mundësinë e kufizimeve edhe më të rrepta në ‘qendrën financiare globale.

Xi e përcolli këtë direktivë në artikujt që u publikuan në dy gazetat kryesore shtetërore të qytetit, në të cilat ai tha se kontrolli i epidemisë nga Hong Kongu është “detyra prioritare për momentin” dhe se është përgjegjësi e zyrtarëve lokalë të mbajnë nën kontroll epideminë.

Qeveria qendrore do të ndërhyjë gjithashtu për të zbutur mungesat e ushqimit dhe furnizimeve të tjera, si dhe do të ndihmojë në ndërtimin e qendrave të trajtimit dhe izolimit, tha Xi.

Zyrtarët e Hong Kongut kaluan kufirin për në Shenzhen gjatë fundjavës për të folur për planet për të ndihmuar qytetin të pajtohet me politikat zero-Covid që tani po zvarriten nën valën e pestë të infeksioneve.

Urdhri jashtëzakonisht i drejtpërdrejtë i Xi-së, do të sugjeronte që zyrtarët e Hong Kongut nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i përmbahen rreptësisht politikës së tolerancës zero të Kinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë