Futboll

Spiunazh te Milani, 74 mijë euro për të përgjuar punonjësit

Një histori me spiunë te Milani. “La Repubblica” dhe “Sole 24 Ore” bëjnë me dije se ish-administratori i klubit, Marko Fasone, ishte vënë në gjueti të spiunëve të brendshëm, të cilët i jepnin lajmet shtypit, duke pasur lidhje me katër gazetarë, Enriko Kurro dhe Luka Panji të “Repubblica”, Karlo Festa të “Sole 24 Ore” dhe Tobia De Stefano të “Libero”. Historia nis dimrin e kaluar, saktësisht nga 19 shkurti deri më 2 mars. Dhe kjo histori bën pjesë në dosjen e dorëzuar nga Milani në Gjykatën e Milanos, ku pala kundërshtare është pikërisht Fasone.

Ish-administratori i kishte kërkuar zyrtarisht “Carpinvest”, një agjenci investigative, të përgjonte katër gazetarët e sipërpërmendur dhe të kontrollonte aktivitetin e punonjësve të klubit kuqezi në smartfonët dhe tabletat e tyre. Janë bërë katër përgjime telefonike, pas kërkesës së drejtuar Telekomit për numrat e regjistruar në emër të drejtuesve të klubit nga Milano, Agata Frixherio, Xhuzepe Manxharano, Xhovana Zian dhe Anxhela Xuka.
E gjitha kjo ka kushtuar rreth 74 mijë euro dhe këtë shumë “Elliott” e konteston.

Sigurisht që nuk është një shumë e madhe, por pronarët e Milanit i shqetëson shpërdorimi i kësaj shume për një çështje pa kuptim. Milani dhe Fasone janë në gjyq, pasi ish-administratori kërkon dëmshpërblim për largimin nga puna.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë