Politike

Spiunët e huaj synuan destabilizim me lajme të rreme

Spiunët e huaj rritën aktivitetin e tyre në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Kjo, sidomos në propagandë, keqinformim, narrativa përçarëse me ndikim në perceptimin publik.

“Veprimtaria e shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride. Të tilla si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik”. Kështu tha gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, kreu i SHISH, Helidon Bendo.

Bendo deklaroi se spiunët e huaj përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, konvencionale (klasike) dhe jokonvencionale. Këto metoda përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike. Gjithashtu përfshijnë grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik.

Lidhur me situatën në rajon gjatë vitit 2021, Drejtori i SHISH-it nënvizoi se krizat politike kanë sjellë paqëndrueshmëri. Mosmarrëveshjet mes vendeve po shfrytëzohen nga aktorë të tretë për të nxitur destabilitet.

“Situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta. Këto zhvillime kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar. Kjo, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë