Sport

Sporti ndalet sërish në Amerikë pas protestave sociale në Mineapolis

Ndalet sërish sporti në Amerikë dhe sërish për solidaritet me qytetin e Mineapolis, që proteston për episodin e radhës të brutalitetit të policisë kundër një afroamerikani. Bejsbolli këtë herë ishte i pari që tha “stop”, me shtyrjen e ndeshjes mes Minesota Tuins dhe Boston Red Soks. Më pas basketbolli shtyu ndeshjen mes Volvs dhe Bruklin Nets. Është shtyrë edhe ndeshja e NHL-së të Minesota Wild.

Protestat shpërthyen pas vrasjes së Daunte Rajt, 20-vjeçarit të ndaluar nga policia të dielën për një kontroll rrugor në Bruklin Sentër, një vend me 30 mijë banorë në veri të Mineapolis. Rajt u ndalua, sepse mjetit me të cilin udhëtonte i kishte skaduar targa. Gjatë kontrollit u bë gati një mandate arresti për Rajt dhe në atë pikë, pati një përplasje.

Nga protestat për vrasjen e Rajt në Amerikë. Gazeta Si 13 prill 2021

Një agjent bërtiti “taser”, por në vend që të nxirrte pistoletën elektrike, gabimisht nxorri atë të shërbimit dhe qëlloi për vdekje 20-vjeçarin. Agjenti që nuk është identifikuar ende, është pezulluar menjëherë. “Nga ajo që duket në video, nga reagimi i agjentit pas episodit, vdekja e Rajt ka ndodhur aksidentalisht”, – ka deklaruar shefi i policisë në Bruklin Sentër. Në makinë me djaloshin ishte edhe e fejuara e tij, që mbeti e plagosur, por jo rëndë.

Vdekja e Rajt është një tjetër plagë e thellë për zonën e Mineapolis, që këto ditë po ndjek procesin e Derek Çauvin, policit të bardhë që një vit më parë mbajti për më shumë se 9 minuta gjurin në qafën e Xhorxh Floid, afroamerikanit që ndërroi jetë. Videoja e tmerrshme që tronditi botën në 2020-ën është shfaqur vazhdimisht gjatë procesit, duke trazuar ndjenjat e një qyteti dhe një ambienti të ndarë nga pikëpamja raciale.

Pas vdekjes së Floid, shumë lojtarë të NBA-së iu bashkuan protestave në qytetet amerikane, në emër të “Black Lives Matter”. Liga dhe lojtarët përqafuan mesazhin pas rifillimit të sezonit në Orlando, me slloganin simbol të lëvizjes protestuese. “Lutjet tona janë për familejn dhe miqtë e Daunte Rajt në këtë moment”, – është mesazhi që NBA ka shpërndarë në njoftimin për shtyrjen e ndeshjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë