Futboll

Sprinti final i 2018-ës, anti-Partizani me “fotofinish”

Fatjon Rupi – Nga gjysma e parë e kampionatit të Superiores kanë mbetur edhe dy javë. Partizani është pretendenti kryesor për titullin kampion, jo vetëm se kryeson renditjen 5 pikë i shkëputur nga vendi i dytë. Të kuqtë kanë qenë konstantë në 16 javët e deritanishme. Kanë një grup mjaft solid dhe me ndonjë ndërhyrje të mundshme në merkaton e dimrit, do të jenë 100% të kompletuar për t’i rikthyer Partizanit titullin e munguar prej shumë vitesh. Por cili ekip do të jetë rivali kryesor i Partizanit në garën e titullit?

Në letër janë tre: Skënderbeu, Kukësi dhe Teuta. Ndoshta pas dy javëve të fundit të 2018-ës do të jetë më e qartë situata, pasi korçarët dhe kuksianët janë me pikë të barabarta, ndërsa durrsakët qëndrojnë një pikë pas tyre. Objektivi i Skënderbeut është i varur drejtpërdrejt nga vendimi i KAS-it dhe rënia e këtij ekipi në këto javë të fundit, në një farë mënyre, tregon se titulli nuk është një “fiksim” apo detyrim. Për korçarët do të mjaftonte pjesëmarrja në Kupat e Europës, nëse vendimi i shumëpritur do të jetë pozitiv, në të kundërt asgjë nuk ka vlerë. Që do të thotë se Kukësi, që ka ndërruar marsh javët e fundit, mund të jetë rivali kryesor i Partizanit.

Nga ndeshja Kukësi-Partizani. Mala shënon golin e fitores për të kuqtë

Kukësi përplaset direkt me Partizanin në fundjavë dhe rezultati i kësaj ndeshjeje do të thotë shumë. Nëse Partizani fiton, edhe pse më pas mbeten edhe shumë javë kampionat, rivali i të kuqve do të jetë vetë Partizani… Ndeshja e së premtes është shansi i madh i skuadrës së Gegës për të bërë shkëputjen, që do t’i jepte komoditetin për të administruar më mirë gjysmën e dytë të kampionatit. Një fitore e mundshme e Kukësit do ta bënte garën edhe të fortë, por kujdes Teutën! Durrsakët kanë dy ndeshje më të lehta në letër përpara, me Kastriotin në transfertë dhe me Laçin në shtëpi, kështu që me 6 pikë të mundshme, në kombinim me rezultatet e pretendentëve të tjerë, nuk është çudi të jenë ata anti-Partizani. Llogari të vështira për t’u bërë, ndaj dhe duhen pritur 180 minutat e fundit të 2018-ës.

Katër skuadrat e kreut kuptohet që janë kandidatet kryesore për të marrë pjesë në Kupat e Europës, duke marrë të mirëqenë faktin se nuk kanë probleme administrative dhe se do të licencohen nga UEFA. Gjithmonë nëse Skënderbeu mbetet jashtë kupave pas vendimit të KAS-it, Laçi dhe Flamurtari janë gati të përfitojnë në kampionat, por në lojë është edhe Kupa e Shqipërisë, një rrugë më e shkurtër për të shkuar në Europë.

Nga ndeshja Tirana-Luftëtari, dy skuadra të përfshira në luftën e mbijetesës

Zona e ftohtë e mbijetesës në Superiore është veçuar dukshëm nga pjesa tjetër e kampionatit. Janë katër skuadra që luftojnë për të qëndruar në futbollin elitar shqiptar, mes tyre edhe Tirana, që doli nga objektivi shumë shpejt dhe rikthimin në Superiore e ka përjetuar me shumë probleme. Pas saj është Luftëtari, që për momentin është përfshirë nga një krizë financiare dhe vetëm zgjidhja e shpejtë e saj do ta mbante në garë. Nëse Luftëtari vazhdon kështu, rënia është shumë pranë dhe Kamza dhe Kastrioti, që mbajnë dy vendet e fundit pas javës së 16-të, do të luftojnë fort për të mos e humbur duelin e skuadrës së dytë që do të jetë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë