Futboll

Stankoviç: Tirana e organizuar, keqardhje që luajmë pa tifozë

Crvena Zvezda mbërriti sot në Tiranë nën masa të rrepta sigurie. Kampionët e Serbisë do të ndeshen nesër me kampionët e Shqipërisë në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve, ku kualifikimi vendoset nga një ndeshje teke, pra nga ajo çfarë dy skuadrat do të japin në “Air Albania Stadium”. Serbët janë favoritë në letër, por trajneri Dejan Stankoviç ka qenë i kujdesshëm në deklarata.

Në konferencën për shtyp, ish-lojtari i njohur i Lacios dhe Interit, që drejton Crvena Zvezdën, theksoi se në Tiranë nuk ka parë asnjë provokim. Ai vlerësoi Tiranën si një ekip të organizuar mirë dhe pohoi se gjithçka e vendos fusha.

“Kemi ardhur të luajmë futboll, asgjë tjetër. Gjërat e tjera nuk më interesojnë. Futboll është luajtur para kësaj ndeshjeje, do të luhet edhe pas saj. Do të shohim si do të shkojnë gjërat në fushë. Së pari, është për të ardhur keq që nuk ka tifozë, pasi ata janë pjesa më e rëndësishme e futbollit. Ndeshja është shumë e rëndësishme dhe jemi përgatitur maksimalisht. Sigurisht, e kemi studiuar kundërshtarin dhe kemi përgatitur të gjithë skenarët.

Tirana është një ekip i ri dhe shumë i organizuar, ka shpejtësi dhe luan në bllok. E tregoi veten me kualifikimin ndaj Dinamo Tbilisit në Gjeorgji. Favoritë? Nëse ju mendoni se ne jemi favoritë, atëherë jam dakord me ju… Kam marrë me vete futbollistët më të mirë të ekipit. Kemi lojtarë me shumë përvojë dhe me teknikë të lartë, por gjithçka e vendos fusha. Nuk bazohem tek emrat, por te forma e lojtarëve.

Të lë Cverna Zvezdën për Interin? Gjatë kohës që kam qëndruar në Tiranë, kam kuptuar se në Shqipëri ka shumë tifozë të Interit. Nuk e di si do të shkojnë punët me Konten, por mund të them se jam i përqendruar vetëm te ekipi im, Crvena Zvezda. Nuk kemi pasur asnjë provokim këtu, të them të drejtën. Asnjë problem nuk kemi pasur, nuk e di çfarë shkruajnë gazetat. Kombëtaren e Shqipërisë nuk e njoh, thjesht njoh De Biazin dhe Panuçin”, – tha trajneri Stankoviç gjatë konferencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë