Nga stërvitja më e madhe ushtarake në Europë, “Defender Europe 23”, Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim dërgoi një mesazh të fortë sa i takon aleancës mes dy vendeve.
Ajo tha se amerikanët dhe shqiptarët ecin krah për krah sot, duke qenë aleatë të NATO-s.
“Ja ku jemi në sheshin Nënë Tereza, në një shtëpi demokratike, të rrethuar nga aleatët tuaj. Defender Europe 2023 jemi këtu si aleatë. Amerikanë dhe shqiptarë qëndrojnë krah për krah, dikur të ndarë, tani aleatë të NATO-s. Që prej Defender, Rusia nisi një pushtim të pakuptuar ndaj Ukrainës.
Ne jemi të bashkuar. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, heroit shqiptar, por dhe timit; bashkimi bën fuqi. Ky partneritet, na tregon se ne mund të kryejmë çdo mision. Për burrat dhe gratë me uniformë; faleminderit që zgjodhët të na mbroni ne. Jam kaq krenare që qëndroj krah jush. Ju nxis që të na bëni më të fortë dhe më të bashkuar. Ne, bashkë me Shqipërinë do të vazhdojmë që të bëjnë historinë. Jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë” tha Kim.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në nisjen e stërvitjes “Defender Europe 2023”, deklaroi se vendi ynë “nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar”.
“Shqipëria ka nderin që të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot, e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimi, krah për krah me SHBA si bashkëpenmbajtëse për çështjen e Ukrainës, ajo merr një rol që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe vë në dukje përparimin e pjekurinë që ka arritur vendi ynë”, tha Rama.
“Zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, është shprehje e unitetit të madh të të gjithë komunitetit euroatlantik për të mbrojtur vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen shoqëritë tona”, shtoi kryeministri, i cili theksoi se me aeroportin e Kuçovës, që do të funksionojë si bazë operacionale e NATO-s, “jemi në kushtet ku mund të themi se po shkruhet një faqe e re e historisë sonë” shtoi ai.
Presidenti Bajram Begaj tha se me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse.
“Këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në rajonin tonë të brishtë të Ballkanit Perëndimor, ku aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne, përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre.
Prandaj dhe rëndësia e kësaj stërvitje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj më se e nevojshme.
Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë.
Padyshim meritat për këtë i takojnë secilit prej burrave dhe grave në uniformë që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura dhe nderojnë dhe lartësojnë çdo ditë flamurin e Shqipërisë.
Ju jeni një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe mirënjohja për angazhimin dhe profesionalizmin tuaj nuk mund të shprehet mjaftueshëm.
Unë ndihem krenar, që kam qenë njëri prej jush; e në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për Forcat e Armatosura dhe kontributin e Shqipërisë në NATO”, tha Begaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje