Futboll

Strakosha: Championsi një ëndërr, magjike të dëgjosh atë muzikë

Te Lacio ka shkuar Reina, një portier prestigji dhe eksperience të gjatë, por titullar mbetet ai, Tomas Strakosha, i cili do të luajë sezonin e 4-t radhazi si numri 1. Ardhja e një zëvendësuesi impresionues si Reina nuk e shqetëson aspak portierin shqiptar.

“Jam i lumtur që Reina është këtu, – thotë Strakosha për “Lazio Style”. – Do të përpiqem t’i vjedh profesionin, është një kampion i madh, do të mësoj shumë prej tij dhe për mua është fat që do ta kem në skuadër. Është një portier me shumë përvojë dhe do të jetë i dobishëm në dhomat e zhveshjes”.

Tomas Strakosha, portieri shqiptar i Lacios. Gazeta Si, 28 gusht 2020

Sezoni i ri shënon për Lacion rikthimin në Ligën e Kampionëve pas 13 vitesh. Për Strakoshën do të jetë debutim absolut në kompeticionin më të rëndësishëm në rang klubesh. “Të dëgjosh atë muzikë është magjike. Prej vitesh e kemi ndjekur dhe tani më në fund mund ta përjetojmë atë atmosferë unike që vetëm Liga e Kampionëve të dhuron. Do të jemi gati me siguri për këtë garë”.

Ndeshjet e Ligës së Kampionëve nisin në tetor dhe Strakosha është i bindur se Lacio do të jetë një ekip protagonist. “Po punojmë fort në stërvitje. Shoh që të gjithë jemi të motivuar dhe të karikuar në maksimum. Çdo vit synojmë ta ngremë nivelin tonë dhe objektivin e skuadrës. Kështu do të jetë edhe këtë vi. Sezonin e fundit ishim mbrojtja më e mirë e Serisë A deri në ndërprerjen e kampionatit, më pas gjërat nuk shkuan aq mirë. Përvoja që kemi fituar këto vite është një bazë e mirë për nisjen”, – thekson portieri i Kombëtares shqiptare që do të grumbullohet pas pak ditësh për ndeshjet me Bjellorusinë dhe Lituaninë në Ligën e Kombeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë