Futboll

Strakosha dhe Hysaj, të parët që i kthehen fushës së blertë

Mjekët në Serinë A e kanë shprehur qartë shqetësimin e tyre dhe i kanë këshilluar klubet të mos rinisin stërvitjen pa u përmirësuar ndjeshëm situata e emergjencës nga Covid-19. Por shumica e klube e kanë planifikuar tashmë datën e rikthimit në fushë.

Dhe të parët që do të zbresin në tapetin e blertë janë ekipet e dy futbollistëve të Kombëtares shqiptare, Lacio i Tomas Strakoshës dhe Napoli i Elseid Hysaj. Të dy këta ekipe do të rinisin punën ditën e hënë, më 23 mars. E veçanta është se Lacio do të bëjë stërvitje kolektive, por nuk do të ketë ndeshje testuese mes grupit, në mënyrë që lojtarët të shmangin kontaktet direkt.

Elseid Hysaj me fanellën e Napolit. Gazeta Si, 18 mars 2020

Atalanta e Berat Gjimshitit, që disa ditë më parë luajti në Champions me Valencian në Spanjë dhe disa lojtarë të skuadrës kundërshtare rezultuan pozitivë, është në karantinë deri më 24 mars, më pas do të vendoset për datën e nisjes së stërvitjes. Në karantinë është edhe Verona e Marash Kumbullës dhe Amir Rrahmanit, pasi një shok skuadre e tyre, Xakanji, ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Te Breshia e Emanuele Ndojit duken më të duruar dhe si datë rikthimi kanë caktuar 29 marsin.

Fiorentina dhe Sampdoria janë skuadrat me më shumë lojtarë të infektuar dhe me siguri do të qëndrojnë në karantinë më gjatë. Tek Interi, pasi infektimit të Ruganit të Juventusit, janë futur në izolim vullnetar deri më 25 mars, kur klubi do të vendosë një datë për fillimin e stërvitjes. Juventusi ndodhet në një situatë komplekse, sepse pas Ruganit ka dalë pozitiv edhe Matuidi. Është e pamundur që tani të mendohet për të dalë në stërvitje.

Etrit Berisha, portieri kuqezi i Spalit. Gazeta Si, 18 mars 2020

Edhe Milani e ka programuar nisjen e stërvitjes më 23 mars, si Lacio dhe Napoli, por kuqezinjtë me siguri do të shtyjnë datën. Parma e Kastriot Dermakut kishte fiksuar datën 18 mars, megjithatë klubi vendosi që gjithçka të shtyhet për më 25 mars. Te Spali i Etrit Berishës nuk ka ende një datë të përcaktuar për të rinisur punën në fushë dhe me shumë mundësi ajo do të jetë pas 25 marsit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë