Futboll

Strakosha shtyn Berishën drejt Serisë B, Kumbulla bllokon Milanin

Duelin e dy portierëve kuqezi që luajnë në Serinë A, Tomas Strakoshës dhe Etrit Berishës, e ka fituar “gardiani” i Lacios. Skuadra e tij ka fituar thellë, 5-1, duke u ngjitur në vend të dytë për momentin dhe duke i dhënë një të shtyrë Spalit të Berishës drejt Serisë B. Ishte një ndeshje spektakolare për Lacion, ku Strakosha më shumë ka bërë rolin e spektatorit dhe është vlerësuar me notën 6 për paraqitjen e tij. Imobile dhe Kaisedo ishin protagonistët e fitores së Lacios.

Nga ana tjetër, Berisha ka qenë në një ditë të errët dhe si rrallë herë është vlerësuar me notën 5. Ai ka gabuar veçanërisht në rastin e golit të tretë të Lacios, duke bërë një dalje krejtësisht aventureske dhe më pas është ndëshkuar nga Imobile. Lacio e Strakoshës dhe Tares, me një ndeshje më pak, ka shanse reale të rivalizojë për titullin kampion, edhe pse Juventusi është i shkëputur, ndërsa vendi i dytë është plotësisht i mundshëm.

Imobile shënon në portën e Berishës. Gazeta Si, 2 shkurt 2020

Një paraqitje mjaft të mirë ka bërë mbrojtësi Marash Kumbulla me Veronën, që ka barazuar 1-1 me Milanin në “San Siro”. Skuadra e futbollistit shqiptar luajti me 10 vetë për gjysmë ore, por Kumbulla dhe Rrahmani, të dy të vlerësuar me notën 6.5, kanë qenë të pakalueshëm nga sulmi i Milanit, që vuajti shumë pa Ibrahimoviçin. Një pikë me vlera për Veronën në transfertë. Edhe Berat Gjimshiti ka luajtur titullar me Atalantën në javën e 22-të të kampionatit, në barazimin 2-2 ndaj Xhenoas.

Në ndeshjen e mesditës, Juventusit kryesues mundi pastër Fiorentinën 3-0. Kristiano Ronaldo shënoi dy herë nga pika e bardhë e penalltisë, kurse De Ligt trefishoi shifrat në kohën shtesë. Juventusi kryeson me 54 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë