Politike

Strategjia e re e BE-së/ Pasaportat e arta, skemë korrupsioni! Sanksione e dënime dhe ndaj biznesmenëve

Komisioni Europian në planin e ri dhe nismën ligjore për luftën kundër korrupsionit jo vetëm brenda vendeve të BE-së, por në të gjithë botën ka zgjeruar sferën e ndëshkimeve. Në listën e sanksioneve dhe të ndëshkimeve nuk do të futen vetëm zyrtarët e korruptuar, por edhe biznesmenët. Ashtu si edhe SHBA, BE-ja po harton paketën e re të luftës antikorrupsion. Ndërkohë biznesmenët do të ndalohen të marrin pjesë në prokurimet publike për disa vite në vendet e BE-së, përveç masa ndëshkimore me burgim. Dënime që jepen sipas ligjeve në fuqi që kanë shtetet anëtare të BE-së.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Si, theksohet se korrupsioni përgjatë 1 viti i ka kushtuar ekonomisë së BE-së të paktën 120 miliardë euro.

Në paketë të re, BE-ja përmend edhe Ballkanin Perëndimor shtetet e së cilës duan të anëtarësohen në Union.

“Në procesin e zgjerimit, përafrimi me ligjin ekzistues të BE-së, respektimi i shtetit të së drejtës dhe reformat kundër korrupsionit përcaktojnë kryesisht ritmin e përparimit të vendeve kandidate drejt pranimin në BE. Këto janë gjithashtu prioritete të Partneritetit Lindor, sipas të cilit strategjitë kundër korrupsionit mbështeten për të promovuar standarde të larta të integritetit dhe transparencës në organet publike dhe për të forcuar agjencitë kundër korrupsionit, kapacitetet hetuese, reformat në drejtësi dhe shoqërinë civile”, thuhet në dokument.

Pasaportat e arta

Në dokument cilësohet si faktor kyç identifikimi dhe hartimi i zonave të rrezikut është çelësi i veprimit efektiv kundër korrupsionit. “Aktivitetet e korrupsionit po evoluojnë vazhdimisht dhe po u përshtaten mundësive të reja, dhe modelet ndryshojnë në shtetet anëtare. Asnjë sektor apo fushë veprimtarie nuk është e sigurt nga rreziqet e korrupsionit, por fushat e zakonshme me rrezik të lartë meritojnë vëmendje të veçantë – zakonisht ato që përfshijnë menaxhimin e fondeve të rëndësishme publike ose aksesin në leje ose në një shërbim kritik”, thuhet në dokument.  Kështu sektorë të tillë si kujdesi shëndetësor, ndërtimi apo planifikimi urban janë si rrjedhim vulnerabël dhe rritjet e papritura të investimeve publike mund të krijojnë rreziqe të reja të lidhura me korrupsionin. Zonat me rrezik kriminaliteti të lartë si portet, të cilat janë pika presioni për grupet e krimit të organizuar që trafikojnë drogë, gjithashtu kanë nevojë për monitorim të vazhdueshëm. Bashkimi Europian ndërkohë e cilëson si pjesë korruptive edhe pasaportat e arta. “Shembuj se si mund të trajtohen fushat e reja për veprim përfshijnë skemat e qëndrimit dhe nënshtetësisë së investitorëve (skemat e ‘vizave të arta’ dhe ‘pasaportave të arta’) të cilat Komisioni ka paralajmëruar se mund të përdoren për të fshehur krimet financiare, duke përfshirë ryshfetin dhe korrupsionin”, thuhet në dokument. Komisioni i konsideron skemat e nënshtetësisë së investitorëve, sipas të cilave shtetësia e një shteti anëtar, dhe rrjedhimisht shtetësia e Bashkimit, jepet sistematikisht në këmbim të pagesave ose investimeve të paracaktuara dhe pa një lidhje të mirëfilltë me shtetin anëtar dhënies, si shkelje ligjore të BE-së dhe ka ndërmarrë veprime kundër shteteve anëtare që mbajnë skema të tilla. Sporti është një shembull tjetër i një zone të identifikuar relativisht kohët e fundit si me rrezik të lartë, ku grupet e krimit të organizuar kërkojnë përfitime përmes trukimit të ndeshjeve përmes korrupsionit dhe zhvatjes. Edhe qeveria Rama pati hartuar një projektligj për pasaportat e arta për biznesmenët. Nisma e qeverisë u kontestua nga vetë drejtuesit e Komisionit Europian, ku veç kundërshtimit të aministisë fiskale kërkuan që ta mos e miratojnë ligjin për dhënien e pasaporave të biznesmenëve të huaj që ivenstojnë në Shqipëri. Deri më tani qeveria Rama ka pranuar rishikimin e amnistisë, por nuk ka dhënë një përgjigje finale për pasaportat e arta, edhe pse nisma nuk është votuar ende në Parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë