Nëse Kina do të zgjidhte një model më të butë izolimi për të parandaluar përhapjen e Covid, vendi komunist do të numëronte të paktën 250 mijë të infektuara në ditë.
Ky është projeksioni i bërë nga studiuesit e Universitetit të Pekinit, që u kanë sugjeruar autoriteteve që të vazhdojnë me politikën e tolerancës zero ndaj përhapjes së virusit. Raporti studimor u publikua në revistën javore të Qendrës Kineze të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve.
Studimi thotë se sistemi shëndetësor kinez nuk është në gjendje që të përballojë lehtësimin e masave kufizuese, apo modele shtrënguese të ngjashme me vendet perëndimore.
Studiuesit kinezë kanë përdorur të dhënat e raportuara gjatë muajit gusht nga SHBA, Britania, Spanja, Franca dhe Izraeli dhe më pas kanë përllogaritur përhapjen e pandemisë në Kinë nëse do të zbatonte të njëjtat masa si në këto vende.
Sipas projeksionit, rastet ditore mund të mbërrinin në të paktën 640 mijë nëse Kina do të adoptonte strategjinë anti-Covid të ndjekur nga SHBA. Nëse do të ndiqej qasja britanike, rastet do të ishin 275 mijë të tilla në ditë dhe në 455 mijë nëse do të ndiqej modeli francez.
“Parashikimi nxjerr në pah mundësinë reale të një përhapjeje kolosale të pandemisë, që me siguri do të çonte në kolaps sistemin shëndetësor”, thotë studimi i Universitetit të Pekinit.
“Gjetjet tona janë një paralajmërim i qartë se për momentin ne nuk jemi të gati që të përqafojmë një strategji më të hapur të mbështetur te hipoteza e imunitetit të tufës dhe vaksinimi, siç po veprohet në vendet perëndimore”, vijohet më tej në raport.
Autorët e studimit thonë se ata janë bazuar në përllogaritje të pastra matematikore, ndërsa për modele më të sofistikuara studimore nevojitet më shumë kohë dhe shqyrtim i përhapjes së virusit dhe llojeve të tij në vendet e tjera.
Kina ruan prej muajsh politikën e vet të zero tolerancës ndaj Covid-19. Kjo politikë bazohet në izolimin total të zonave të mëdha urbane edhe kur numri i rasteve pozitive rezulton në pak persona. Si shembull, autoritetet kanë izoluar qytete me 4 deri në 6 milionë banorë pas identifikimit pozitivë të 6 deri në 10 rasteve.
Strategjia duket se ka funksionuar. Kina raportoi vetëm 23 raste të reja më 27 nëntor, nga 25 që kishte raportuar një ditë më parë. Por, dilema që lidhet më këtë strategji ka të bëjë me efektet që ajo po jep në ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje