Pjesa më e madhe e vaksinave të administruara nga Shqipëria janë kinezet Sinovac, që kërkojnë dy doza njëra pas tjetrës me një distancë kohore prej 4 javësh. Disa studime perëndimore e klasifikojnë këtë vaksinë si ndër më të dobtat në krahasim me vaksinat e tjera sa i takon efikasitetit në parandalimin e Covid.
Dyshimet janë ngritur edhe në lidhje me aftësinë e kësaj vaksine për të mbrojtur nga varianti Delta. Por, një studim i fundit i kryer nga autoritetet kineze tregon se një dozë e tretë e Sinovac ofron mbrojtje shtesë ndaj këtij varianti.
Sipas Reuters, shumë vende që kanë bazuar programin e tyre të vaksinimit te Sinovac tashmë kanë nisur një fushatë të re përforcimi të imunizimit përmes vaksinave perëndimore.
Studimi kinez thotë se antitrupat e prodhuar pas dy dozave të vaksinës Sinovac nuk u gjetën gjashtë muaj pas marrjes së plotë të vaksinës te personat e infektuar nga Delta. Por, sipas studimit një dozë e tretë rrit me 2.5 herë mbrojtjen ndaj variantit Delta, krahasuar me nivelin e mbrojtjes që ofrohet një muaj pas dy dozave të para.
Studimi është kryer nga Akademia Kineze e Shkencave, Universiteti Furan dhe vetë kompania Sinovac. Në studim nuk sqarohet se si ndryshon specifikisht aktiviteti i antitrupave, ndërsa të dhënat laboratorike janë siguruar nga një numër i vogël prej 66 pacientësh, ku 38 kanë qenë vullnetarë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë planifikon që të shpërndajë brenda këtij muaji mbi 100 milionë doza Sinovac dhe Sinopharm në vende të varfra në Azi dhe Afrikë.
Në total rreth 1.8 miliard doza Sinovac janë shpërndarë në të gjithë botën deri në fund të muajit gusht, përfshirë këtu dozat e shpërndara në Kinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje