Bota

Stuhia dimërore godet SHBA-të, mijëra persona pa energji elektrike

Një stuhi e fuqishme dimërore, me borë dhe akull, në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, ka përballur mbi 80 milionë banorë me paralajmërime për motin.

Mediat amerikane raportojnë se më shumë se 145,000 persona janë pa energji elektrike në disa rajone jugore dhe lindore të vendit. Virxhinia, Xhorxhia, Karolina Jugore dhe ajo Veriore, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Shërbimi për motin në SHBA, ka thënë se në disa rajone pritet të ketë mbi 30 centimetra borë. Bora dhe akulli mund të “rrezikojnë udhëtimet, furnizimet me energji dhe mund të dëmtojnë pemët”, ka thënë Shërbimi Amerikan për Motin.

Sipas agjencisë së lajmeve, Associated Press, nëpër autostrada është raportuar për qindra aksidente të automjeteve. Më shumë se 3,000 fluturime brenda dhe jashtë SHBA-ve janë anuluar të dielën, sipas faqes që vëzhgon fluturimet, FlightAware.

Aeroporti “Charlotte Douglas” në Karolinën Veriore është prekur më së keqi, me gati 90 për qind të fluturimeve të anuluara.

Ndërkohë, një stuhi e fuqishme me erëra të forta deri në 70 km, borë dhe përmbytje parashikohet të godasë shtetin e Masaçusetsit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë