Ukraina ka thënë se është përballur me “bombardime masive” të shtunën dhe sot në mëngjes nga Bjellorusia fqinje, e cila njihet si aleate e Rusisë, por jo e përfshirë zyrtarisht në konflikt. Shpërthimet e fuqishme tronditën pjesën qëndrore të Kievit mëngjesin e kësaj të diele në qarkun Sheveçksivi i cili është “shtëpia” e një grupi universitetesh, restorantesh dhe galerish arti.
Një pjesë e madhe e ndërtesave u dëmtuan rëndë, ndërsa një zjarr i fuqishëm përfshiu disa banesa.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se banorët janë shpëtuar dhe evakuuar nga dy ndërtesa.
Sirenat e sulmit ajror u ndezën pas më shumë se 20 ditësh qëkur një stacion hekurudhor u godit në periferi.
AFP raportoi se shpërthimet ndodhën rreth orës 6:30 të mëngjesit me orën lokale, gjysmë ore pasi sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në kryeqytet, i cili nuk është nën bombardimet ruse për gati tre javë.
Një punonjës i AFP-së në kompleksin rezidencial që u godit, dëgjoi një zhurmë të fortë që i parapriu shpërthimeve.

Të shtunën njëzet raketa kanë shënjestruar fshatin Desna në rajonin Çernihiv, ka thënë ushtria ukrainase përmes një deklarate, duke shtuar se infrastruktura është goditur, por ende nuk ka raportime për viktima.
Njëzet raketa kanë shënjestruar fshatin Desna në rajonin Çernihiv, ka thënë ushtria ukrainase përmes një deklarate, duke shtuar se infrastruktura është goditur, por ende nuk ka raportime për viktima.
Bjellorusia ka ofruar mbështetje logjistike për Moskën prej kur kjo e fundit ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Edhe Bjellorusia, sikurse Rusia, është përballur me sanksione të Perëndimit.
“Sulmet e sotme janë të lidhura drejtpërdrejt me përpjekjet e Kremlinit për të përfshirë Bjellorusinë si bashkëluftëtare në luftën në Ukrainë”, ka thënë shërbimi ukrainas i inteligjencës.
Sulmet kanë ndodhur para një takimi të planifikuar për të shtunën mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij bjellorus, Alexander Lukashenko në Shën Petersburg.
Rusia i premton Bjellorusisë raketa me kapacitet bërthamor
Rusia do t’i dërgojë aleates së saj, Bjellorusisë, sisteme raketore me rreze të shkurtër, por me kapacitet bërthamor, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin.
Ai ka thënë se sistemet Iskander-M “mund të nisin raketa balistike dhe lundruese, si konvencionale, ashtu edhe të llojit bërthamor”.
Sistemet mund të përshkojnë deri 500 kilometra.
Duke folur në Shën Petersburg, Putin ka thënë se Rusia do të ndihmojë në modifikim të aeroplanëve luftarakë bjellorusë SU-25, në mënyrë që ata të mund të bartin armë bërthamore.
Putin i ka bërë këto deklarata si përgjigje ndaj kërkesës së liderit autoritar bjellorus, Aleksandr Lukashenka.
Raketat Iskander tashmë janë pozicionuar në Kaliningrad, një enklavë e vogël ruse mes anëtareve të NATO-s, Lituanisë dhe Polonisë.
Të dy liderët kanë diskutuar edhe vendimin e Lituanisë për të parandaluar bartjen e disa mallrave nga dhe drejt Kaliningradit – një hap që ka zemëruar Moskën.
Lukashenka ka thënë se vendimi i Lituanisë “ka qenë një lloj deklarate e luftës” dhe hap “i papranueshëm”.
Çeliku dhe disa mallra ruse janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, të vëna ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës.
Lituania ka thënë se masat që ka marrë ajo, prekin vetëm 1 për qind të transitit të mallrave ruse, duke hedhur poshtë deklaratat ruse për “bllokim” të Kaliningradit.
Severodonjecku në duart e Rusisë
Ndërkohë në Kiev është raportuar për disa shpërthime në mëngjesin e së dielës, sipas kryetarit të qytetit, Vitali Klitschko.
“Ambulancat dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar. Në dy ndërtesa është duke vazhduar kërkimi dhe evakuimi”, ka shtuar ai.
Agjencia e lajmeve, AFP ka raportuar se është goditur një kompleks residencial.
Të shtunën, Ukraina ka thënë se forcat ruse kanë “pushtuar plotësisht” qytetin kyç lindor Severodonjeck, pas disa javëve të luftimeve të ashpra.
Marrja e qytetit nënkupton që Rusia tani kontrollon gati gjithë rajonin Luhansk dhe një pjesë të rajonit fqinj, Donjeck – të dyja rajonet njihen si Donbas.
Në adresimin e tij ditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është zotuar për kthim të “të gjitha qyteteve tona” të pushtuara nga Rusia. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje