Futboll

Sulme raciste ndaj talentit të Çelsit, humbi penalltinë vendimtare

Ajo penallti e humbur në Stamboll, në finalen e Superkupës së Europës, ka bërë që sulmuesi i ri i Çelsit, Abraham, të sulmohet ashpër në rrjetet sociale. Sulme me karakter racist, duke bërë që drejtuesit e Çelsit të reagojnë fuqishëm, ndërsa shoqata kundër racizmit “Kick It Out”, ka kërkuar nga Twitter-i dhe rrjetet e tjera sociale t’i filtrojnë këto lloj sulmesh.

Një penallti e humbur dhe një trofe i munguar. Gjëra që ndodhin në futboll, por tifozët e Çelsit pas disfatës në Stamboll ndaj Liverpulit kanë shpërthyer kundër sulmuesit Abraham, i cili gaboi nga 11 metrat. Ofendimet e momentit shumë shpejt kanë kaluar në sulme raciste, çka ka sjellë reagimin e klubit londinez. “Jemi të shokuar nga postimet që kemi parë në rrjetet sociale. Klubi i Çelsit i quan të papranueshme të gjitha sjelljet diskriminuese të tifozëve. Nuk ka vend në këtë klub ai që, duke qenë se ka një abonim apo biletë në dorë për të ndjekur Çelsin, të sillet në këtë mënyrë. Do të marrim masat më të ashpra të mundshme për ata tifozë që janë treguar racistë në komentet e tyre ndaj lojtarit tonë”, ka thënë zëdhënësi i Çelsit.

Abraham i dëshpëruar pas penalltisë së humbur ndaj Liverpulit. Gazeta Si, 16 gusht 2019

Një “shi” ofendimesh ndaj talentit të Çelsit, një nga të rinjtë që trajneri Lampard i ka hedhur në fushë nga minuta e parë, pasi bluve u është bllokuar merkatoja nga FIFA deri në verën e 2020-ës. Në mbështetje të Tami Abraham ka dalë edhe shoqata antiraciste “Kick It Out”, që dënon sulmet diskriminuese ndaj 22-vjeçarit me origjinë nigeriane. “Ky lloj abuzimi është gjithmonë e më shqetësues. Është diçka shumë e shëmtuar. I shprehim të gjithë mbështetjen tonë lojtarit dhe i kërkojmë Tuiterit dhe rrjeteve të tjera sociale që t’i eliminojnë këto lloj postimesh. Presim të shohim çfarë do të bëhet konkretisht për këtë problem serioz”. Ky ishte qëndrimi i kësaj shoqate.

Tifozë të Çelsit. Gazeta Si, 16 gusht 2019

Tami Abraham luan si sulmues qendre. Ai ka lindur në vitin 1997, në Kamberuell, është 1.90 m i gjatë dhe peshon 80 kg. Te Çelsi është që prej moshës 7 vjeç. Është me origjinë nigeriane dhe ka fituar “Youth League” në sezonin 2015-16, me 8 gola në 9 ndeshje. Pas 74 golash në 98 ndeshje me të rinjtë, ka debutuar me Çelsin në Premier në maj të 2016-ës, kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. Ka qenë i huazuar te Bristoli, Suansea dhe Aston Vila sezonin e fundit, ku shpërtheu me 26 gola në 40 ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë