Gazeta Si- Qeveria do të shpenzojë mbi 23 miliardë lekë për kontratën me Microsoft Corporation. Në një vendim më të fundit shkruhet se shuma do të përdoret për realizimin e ndryshimit të projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit.
Shifra e saktë është 2 392 794 278 lekë dhe sipas VKM-së do të përballohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Pas sulmeve kibernetike në shërbimet qeveritare online nga Irani përmes një Akti Normativ, Këshilli i Ministrave ka vendosur të amendojë marrëveshjen me “Microsoft” për sigurinë Kibernetike duke zgjeruar fushat e angazhimit të ekspertëve të gjigantit amerikan sa i përket sistemeve mbrojtëse.
Vetëm kompania amerikane “Microsoft” i ka kushtuar një raport të detajuar sulmit kibernetik të Iranit, me të cilin u përball Shqipëria në 15 korrik të këtij viti. Hakerimi ndaj sistemeve të vendit tonë ndodhi për faj të një serveri të papërditësuar, duke u kthyer për hakerat në një portë hyrëse në muajin maj.
“Hakerat u vendosën në pozita të forta në korrik 2021, duke zhbërë konfigurimin e llogarive të shërbimit dhe duke u kthyer në administratorë lokalë të grupit. Ata më pas në periudhën kohore tetor 2021 deri janar 2022 vodhën komunikimet elektronike përmes email-it”.
Gjetja më shqetësuese e “Microsoft” ka të bëjë me kohën kur hakerat iranianë mundën të depërtojnë për herë të parë në sistemet elektronike qeveritare shqiptare. Grupi i hakerave të cilin ne e vlerësojmë si të lidhur me Iranin, me të gjitha mundësitë mori hyrje në rrjetin e qeverisë Shqiptare në maj 2021, duke përdorur një dobësi të serverit “SharePoint”, i cili nuk ishte i përditësuar. Serveri është “administrata.al”. “Microsoft” thotë se sulmi i Iranit ndaj serverëve shqiptarë u zhvillua në katër faza.
Fillimisht u instaluan në serverët shqiptarë viruse “malëare” për fshirje të dhënash. Hapi i dytë, pasja akses në transferimin e paautorizuar të të dhënave. Hapi i tretë është vjedhja e të dhënave dhe hapi katërt është eksplorimi dhe ekzaminimi i infrastrukturës të viktimës, në rastin konkret të AKSH-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje