Gazeta Si – Ka përfunduar pas dy orësh mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e sulmeve kibernetike nga Irani, të thirrur nga presidenti Bajram Begaj.
Në mbledhje mori pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, si dhe të tjerë.
Mbedhja nisi rreth orës 11:00 dhe përfundoi në orën 13:05, ku në përfundim nuk pati deklaratë nga të pranishmit.
Gjatë verës Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike iraniane, ku u goditën faqet zyrtare qeveritare online, sistemi TIMS dhe ai MEMEX.






Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik në sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online.
Për pasojë Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Shtetet e Bashkuara, NATO dhe BE dënuan sulmin kibernetik njëzëri dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas tij qëndronte Irani.
Kjo është hera e parë pas marrjes së postit, që kreu i shtetit Bajram Begaj, mblodhi Këshilli e Sigurimit Kombëtar, ku në fokus ishte një çështje e sigurisë kombëtare.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare është një organ këshillues që ndihmon presidentin e Republikës në zbatimin e kompetencave dhe detyrave të tij kushtetuese.
Mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura, nga të cilat nuk dilet me vendime. Në përfundim të takimit, Presidenca përcolli një njoftim.
“Sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.
Gjatë diskutimeve u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare.
Ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat, që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.
Në mënyrë të veçantë, u vlerësua se mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me agjencitë tona, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen tonë.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje